Presioni i Perëndimit për ta njohur Kosovën: Çdo vendim duhet të kalojë në referendum

Ekspertët e së drejtës kushtetuese në Serbi, janë dakorduar se çështja e Kosovës kërkon një vendim nga ana e qytetarëve përmes deklaratave të drejtpërdrejta, shkruan e përditshmja serbe Politika.

Lajme

20/10/2015 11:20

Referendum apo zgjedhje këtë duhet të vendosë vet Serbia, pas presionit nga kërkesat e Perëndimit për çështjen e Kosovës. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka mbrojtur gjatë idenë që qytetarët të shprehin mendimin e tyre në një referendum, derisa kryeministri Vuçiq së fundmi ka deklaruar se për shkak të përpjekjeve për paragjykime në lidhje me rezultatet e dialogut të Brukselit, do të “pyes popullin se çfarë duhet bërë dhe si duhet vazhduar” nëse nuk ka ndryshime në kapitullin e 35-të që kërkon njohjen formale e Kosovës. Ai nuk e ka specifikuar se çfarë do të thotë kjo, por duke gjykuar deklaratën e tij se së shpejti do të njoftojë nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, askush nuk ka menduar se ai do të flasë për referendum, transmeton lajmi.net.

Këshilltarja për media e presidentit të Serbisë, Stanislava Pak, ka përsëritur se “Serbia nuk do të përmbushë kushtin për pranimin e pavarësisë së Kosovës”, dhe se “presidenti ka vënë në dukje se për këtë do të ishte më mirë të krijohet një konsensus i gjerë, dhe në fund në mënyrë të qartë të pyeten qytetarët se çfarë mendojnë për këtë çështje”. Ajo ka bërë të ditur se presidenti dhe kryeministri do të bisedojnë ende, por ka rikujtuar fjalët e Nikoliqit, se nëse shumica e qytetarëve të Serbisë deklarohen për pranimin e Kosovës, dyshon se ai do të mbetet në detyrë.

Ekspertët e të drejtës kushtetuese, janë kategorik se çfarëdo vendimi i marrë lidhur me Kosovën, duhet të kalojë në një referendum, pasi edhe ashtu parashihet me rregullativën ligjore.

“Ekzistojnë çështje që mund të kalojnë pa referendum kushtetues, por kjo çështje nuk mund. Prandaj, të gjitha çështjet që lidhen me rindarjen territoriale, formën e qeverisjes, kërkon një vendim të qytetarëve përmes deklaratave të drejtpërdrejta”, ka deklaruar profesor Ratko Markoviq, i cili ndër të tjera ka thënë se çdo vendim tjetër do të qonte drejt shkeljes së Kushtetutës. (lajmi.net)