Presidentja viziton Drejtorinë e Policisë, mbështetje për çdo veprim antiterrorist
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vizituar të enjten Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Republikës së Kosovës, ku është takuar edhe me drejtorin e Policisë, Shpend Maxhunin.

Lajme
Presidentja Jahjaga pasi lavdëroi punën e secilit pjesëtar që punon në këtë institucion, në një deklarim për media, tha se operacioni i fundit i Policisë, që ka të bëjë me arrestimin e dhjetëra personave të dyshaur për terrorizëm, dëshmon përkushtimin dhe palëkundshmërinë e këtij institucioni për të mbrojtur dhe vënë siguri në shtetin kosovar.
“Kam ardhur për t’i ofruar mbështetjen për gjithë punën dhe angazhimin të burrave dhe grave të këtij mekanizmi të sigurisë më të rëndësishme”.
“Policia e Kosovës vazhdon të jetë njëri ndër institucionet që gëzon respektin dhe besimin nga qytetarët e Kosovës. Dhe kjo është një punë e vazhdueshme e këtij institucioni”.
“Edhe operacioni i fundit i Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj individëve të caktuar të dyshuar për veprime terroriste ka dëshmuar, thjesht ta themi, edhe bashkërendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Por, gjithsesi se ka dëshmuar edhe përkushtimin e palëkundur të këtij institucioni që të mbrojë dhe të sigurojë sigurinë kombëtare të shtetit tonë”.
“Drejtësia funksionon për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe kushdo që nuk është në këtë anë gjithsesi se do të ballafaqohet me dorën e rendit dhe të ligjit”, tha Jahjaga.
Ndërkaq drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni duke falënderuar presidenten për vizitën e bërë, tha se policia do të vazhdojë me të njëjtin instensitet të punës ta kryejë punën e saj e t’i përmbushë obligimet karshi qytetarëve të Kosovës.
“Shfrytëzova rastin ta njoftoj presidenten për punën që Policia e Kosovës është duke e bërë në vazhdimësi, në të mirë të vendit duke përfshirë edhe disa veprime të veçanta që kanë ndodhur kohëve të fundit”.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë më përkushtimin më të madh dhe më profesionalizmin më të lartë të përmbushë të gjitha obligimet karshi qytetarëve të vendit. Duke u siguruar që Kosova do të jetë një vend i sigurt për të gjithë ne, që të vazhdojmë rrugës së trasuar dhe rrugës së përcaktuar drejtë integrimeve euroatlantike”, tha Maxhuni.