Presidentja takon ambasadorët e Quint-it, i njofton për arrestimet
Presidentja Atifete Jahjaga ka takaur ambasadorët e Quint-it, ku i ka njoftuar për arrestimet e fundit të 40 personave që kishin luftuar në Siri dhe Irak.

Lajme
Në këtë takim presidentja Jahjaga ka pritur ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff, ambasadoren e Republikës së Francës, Maryse Daviet, zëvendësambasadorin e Republikës së Gjermanisë, Matthias Kiesler dhe zëvendësshefin e Misionit në Ambasadën e Republikës së Italisë, Salvatore Marino, të cilët i njoftoi për aktivitetet e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
Presidentja Jahjaga theksoi se çështja e ekstremizmit dhe terrorizmit po trajtohet me përparësi të veçantë dhe tha se së bashku me mekanizmat e sigurisë ka bashkërenduar veprimet institucionale për t’u përballur me këto kërcënime.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova asnjëherë nuk do të bëhet një eksportuese e ekstremizmit dhe terrorizmit si dhe nuk do të shndërrohet në një bazë për elemente të këtilla. Ajo tha se Kosova do të punojë ngushtë me shtetet mike për të çrrënjosur këtë kërcënim jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Ambasadorët e shteteve të Quint-it vlerësuan lart angazhimin e Presidentes Jahjaga dhe të institucioneve përgjegjëse të sigurisë duke theksuar mbështetjen e qeverive të tyre në parandalimin dhe luftimin e kërcënimit nga ekstremizmi.
Presidentja Jahjaga gjatë ditës së sotme ka pritur në takime të veçanta edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni, drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj si dhe ushtruesin e detyrës së kryeporkurorit të shtetit, Sylë Hoxha, dhe vlerësoi lart punën e secilit institucion në garantimin dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare.