Presidentja po i pret propozimet e liderëve, nëse s’ka, atëherë në zgjedhje

Presidentja Atifete Jahjaga është duke pritur që në takimet e ardhshme me liderët politik, ata të shkojnë me propozime konkrete për dalje nga kjo bllokadë, ndërsa nëse s’ka alternativë atëherë zgjedhjet e reja mbeten i vetmi opsion. 

Lajme

14/10/2014 18:10

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, pret nga liderët e partive parlamentare propozime e sugjerime konkrete, ka deklaruar Arbër Vllahiu, zëdhënës Presidentes.

“Takimet e presidentes Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare do të vazhdojnë dhe kjo periudhë kohore është shfrytëzuar që ata të reflektojnë mbi situatën e krijuar që po e pamundëson funksionimin e institucioneve dhe po e fut vendin në një krizë më të thellë. Presidentja pret që liderët e partive politike parlamentare të vijnë me propozime e sugjerime konkrete, që do të mundësojnë daljen nga kjo situatë e krijuar dhe që do të çojnë drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme”, ka thënë Vllahiu për ATSH-në. 

“Nëse liderët politikë nuk ofrojnë zgjidhje dhe nëse e vetmja alternativë e mbetur janë zgjedhjet, atëherë duhet të mendohet që vendi të mos zhytet edhe më tej në krizë, por të gjendet rrugëdalja nga kjo situatë e pamundshme”. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, pritet të nisë raundin e shtatë të takimeve të veçanta, ndërsa në takimet e raundit të gjashtë, të premten, përsëriti qëndrimin se “zgjidhjet duhet të gjenden brenda kuadrit kushtetues dhe bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ndërsa theksoi “domosdoshmërinë që liderët, duke e vlerësuar seriozitetin e situatës në të cilën gjendet vendi, të ofrojnë zgjidhjet që çojnë drejt ndërtimit të institucioneve, duke kërkuar rrugë që shmangin përsëritjen e zgjedhjeve”.