Ftesa e Presidentës po përçan opozitën

Ftesa për takim të përbashkët me subjektet politike parlamentare, e Presidentes Atifete Jahjaga, po shqyrtohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën i kanë dhënë përgjigje negative.

Lajme

06/02/2016 00:06

Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së konfirmoi se subjekti që ai përfaqëson po e shyqrton ftesën dhe do të japë një përgjigje të shtunën.

Por, Top channel mëson nga burime brenda AAK-së se, kreu Ramush Haradinaj po shqyrton edhe mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj kësaj ftese.

Mësohet gjithashtu se në tryezën e ftuar nga Jahjaga do të jenë të pranishëm, në cilësinë e vëzhguesve, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Sekretari i “Nismës për Kosovën”, Billal Sherifi konfirmoi arsyen e refuzimit të kësaj partie për pjesëmarrje në tryezë, pasi presidentja nuk i është përgjigjur asnjërës prej kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme, sikurse edhe peticionit kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Presidentja nuk e pa të arsyeshme, që së paku të shkruajë dy fjalë në një letër për t’i thënë opozitës se, cili është qëndrimi i saj për këto kërkesa. Deri më tani, ajo ka injoruar në vazhdimësi kërkesat e opozitës. Sa i përket takimit së hënës, ‘Nisma’ nuk do të marrë pjesë në të tilla tryeza, të cilat janë takime sa për t’u takuar. Nëse presidentja thërret takim me rend dite organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë padyshim do të shkojmë në një takim të tillë. Takime të tjera, mendojmë se nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës”, ka thënë përmes telefonit sekretari i Përgjithshëm i “Nisma për Kosovën”, Billall Sherifi.

Ndërsa, Drtion Çaushi nga Vetëvendosje ka thënë se nuk marrin pjesë në atë takim duke e quajtur Jahjagën – zëdhënëse të Qeverisë.

Nga ana tjetër nuk ka ende një qëndrim të partive në pushtet, LDK dhe PDK, ndërsa shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, me një postim në Tëitter ka kërkuar nga udhëheqësit që t’i përgjigjen ftesës së presidentes për takim.

“Është në interesin e Kosovës dhe popullit të saj, që krerët partiakë të tregojnë përgjegjësi dhe t’i përgjigjen pozitivisht ftesës”, ka shkruar Zhbogar.

Takimi parashikohet të zhvillohej në zyrën e presidentes më 8 shkurt, në orën 09:00./ Top Channel