Presidentja nuk takon Kurtin e Limajn, a janë të përjashtuar

Presidentja Atifete Jahjaga ka takuar sot Hashim Thaçin e Isa Mustafën, ndërsa me Ramush Haradinajn ka folur në telefon. Ajo as që ka tentuar të takojë liderët e dy partive tjera parlamentare, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj. 

Lajme

14/11/2014 17:24

Lëvizje intensive janë duke u bërë këto ditëve të fundit e veçanërisht sot që më në fund të gjendet një zgjidhje për të dalë nga ngërçi politik, në mënyrë që të formohen institucionet e reja të republikës.

Presidentja Jahjaga si faktor uniteti, është riaktivizuar sërish sot, duke takuar liderët e dy partive më të mëdha në vend, Hashim Thaçin e Isa Mustafën, ndërsa me liderin e AAK-së Ramush Haradinaj ka komunikuar në telefon.

Por për dallim nga herët e kaluara, presidentja sot as që ka provuar që të takohet me liderët e VV-së Albin Kurti dhe atë të Nismës Fatmir Limaj, të cilët duket se janë të përjashtuar nga kombinimet për formimin e qeverisë së re.

Ata duket të mos jenë të preferuar nga faktori relevant ndërkombëtarë në vend.

Për partinë e Kurtit shkaku i qëndrimit të saj karshi negociatave me Serbinë, ndërsa për Limajn, shkaku i aktakuzave për korrupsion të cilat i ka ende të hapura në drejtësinë kosovare.  

Presidentja nuk ka dhënë sqarime se pse nuk ka takuar Kurtin e Limajn.

“Kam takuar sot gjatë ditës, dy nga liderët e partive politike parlamentare, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të trajtuar çështjen e ndërtimit të institucioneve të vendit”, thuhet në një njoftimim të Presidencës. (lajmi.net)