Presidentja mund t’i shpallë zgjedhjet pa konstituim të Kuvendit

Ekspertët vlerësojnë se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. mund t’i thërras zgjedhjet edhe pa konstituim të Kuvendit. Ndërsa, zyrtarë të KQS-së kanë bërë të ditur se janë të gatshëm t’i përgjigjen një thirrje të Jahjages. 

Lajme

14/10/2014 15:15

Përderisa Kosova po hynë në muajin e pestë të krizës institucionale, si opsion për të dalë nga kjo situatë shihen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Njohës të sistemit zgjedhor në Kosovë theksojnë se presidentja i ka kompetencat kushtetuese që t`i shpallë zgjedhjet. Ndërkohë përfaqësues të KQZ-së i kanë thënë Radio Kosovës se janë të gatshëm t`i organizojnë nëse ato shpallen nga presidentja.

Njohësi i çështjeve zgjedhore Mazllum Baraliu, i ka thënë Radio Kosovës se përderisa nuk vërehet afrim i një konsensusi mes subjekteve politike, për të dalë nga kjo krizë politike tash e katër muaj, atëherë presidentja e ka për detyrë të përkujdeset për funksionimin e mirë të institucioneve. Mundësi për të dalë nga kjo krizë, Barali i sheh zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Meqë fatkeqësisht nuk kemi në horizont një gatishmëri të plotë të subjekteve politike për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo agoni politike, atëherë në bazë të paragrafit 3 të nenit 84 të Kushtetutës, Presidentja e ka edhe kompetencën që t`i shpallë zgjedhjet”, tha ai.

Në anën tjetër zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Radio Kosovën se nëse shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, atëherë KQZ është e gatshme t`i organizojë ato.

“KQZ-ja si institucion është i obliguar që të organizojë zgjedhje kurdo që ato shpallen për t’u mbajtur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet e përkushtuar në kryerjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore”, tha Elezi.

Sipas Elezit, në rast se do të ketë zgjedhje atëherë afati kohor për organizimin teknik të tyre do të jetë shumë i shkurtër. Pra, do të shkurtohet edhe koha për kryerjen e operacioneve të ndryshme zgjedhore. Në anën tjetër, mungesa e kuorumit, për shkak se disa anëtarë të KQZ-së nuk kanë mandat, nuk shihet problem për organizimin e tyre. Këtë e potencon edhe Mazllum Baraliu njohës i proceseve zgjedhore.

“Nuk do të ketë shumë problem për këtë arsye, sepse procedurat nuk janë shumë të komplikuara. Subjektet politike i propozojnë kandidatët për anëtarë, presidentja i mandaton dhe ata mund të funksionalizohen në strukturën e KQZ-së”, tha Baraliu.

Ndërkohë, këshilltari i lartë të presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, i ka thënë Radio Kosovës se Presidentja Jahjaga ka kërkuar nga të gjithë liderët e partive politike parlamentare që të gjejnë zgjidhje, të arrijnë pajtim dhe marrëveshje që do të nxirrte vendin nga situata e krijuar. Sipas Vllahiut nëse nuk ofrohet një zgjidhje për situatën e krijuar dhe nëse zgjedhjet shihen si alternativa e vetme e mbetur, atëherë duhet të shihet mundësia që vendi të nxirret nga kjo situatë e krijuar, që po e rrezikon edhe partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. /rtklive.com/