Presidentja ka të drejtë t’i shpallë zgjedhjet dhe këtë duhet ta bëjë urgjent

Kriza politike në vend nuk mund të tejkalohet në asnjë formë për shkak të barrikadimit të dy blloqeve politike, Blloku VLAN, në njërën anë, dhe PDK, në anën tjetër.

Lajme

28/10/2014 22:55

Sipas analistit Mazllum Baraliu, e vetmja rrugëdalje është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga presidentja Atifete Jahjaga.

Në një prononcim për “Zëri”, Baraliu ka thënë se Presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet sa më parë, dhe nëse do të ishte e mundur, ato do të duhej të shpalleshin qysh nesër.

“Zgjedhjet duhet të shpallen sa më parë që të jetë e mundur, sepse është tejkaluar çdo limit kohor dhe gati ka humbur kuptimin kjo mënyrë e indiferencës deri në indolencë e subjekteve politike. Presidentja duhet ta marrë këtë punë seriozisht dhe duhet të veprojë menjëherë pasi që të dyja blloqet janë të barrikaduara dhe nuk lëvizin nga pozicionet e tyre”.

Baraliu ka thënë se çështja e shpalljes së zgjedhjeve është e drejtë e Presidentes, sipas nenit 84 paragrafi 3. Prandaj, sipas tij, në qoftë se nuk ka një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë si në Kuvend apo një koncensues, gjithsesi nuk ka opsion tjetër përveç shpalljes së zgjedhjeve.

“Ky opsion, jo që është real, por i detyrueshëm nëse nuk gjejnë një zgjidhje liderët politikë. Kjo gjendje nuk mund të shtyhet tutje. Ajo mund ta shfrytëzojë të drejtën kushtetuese që t’i shpallë zgjedhjet dhe kjo situatë politike nuk mund të zgjasë pafundësisht dhe të na paraqiten probleme të mëdha edhe vitin që vjen. Kushtetuta parasheh që Presidentja mund t’i shpallë zgjedhjet brenda 30 deri 45 ditësh. Por, mendoj se Presidentja duhet sa më shpejtë t’i shpallë zgjedhjet nëse palët nuk shënojnë lëvizje pozitive në drejtim të gjetjes se një zgjidhje. Nuk ka pse të humbet kohë. Ajo do të duhej qysh nesër t’i shpallë zgjedhjet sepse shtyrja edhe për një javë do të jetë humbje e madhe dhe jo të caktojë 45 ditëshin, por brenda 30 ditëve”, është shprehur Baraliu.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve në dimër (në muajin dhjetor) nuk është periudhë e përshtatshme, por është afat që detyrimisht imponohet, raporton Zëri.