Presidentja Jahjaga demanton zëvendëskryeministrin Kujtim Shala

Presidentja e Kosovës, ka demantuar zëvendëskryeministrin, Kujtim Shala, I cili tha më herët për mediet Kosovare që koalicioni PDK-LDK u krijua pasi që Jahjaga dhe “amerikanët” nuk e dëshiruan Lëvizjen Vetëvendosje në qeveri.

Lajme

16/09/2015 23:03

Në një reagim të presidentes në rrjetin social Facebook, thuhet se pretendimet që Jahjaga ka ndikuar se cilat parti të jenë pjesë e qeverisë së tanishme, janë absolutisht të pavërteta dhe të pabaza, raporton lajmi.net.

“Koalicionet qeverisëse i krijojnë partitë dhe partitë vendosin se kur i përfundojnë ato. Partitë duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe jo të përfshijnë Presidentin e vendit dhe partnerët ndërkombëtar në vend, në debate të brendshme politike.

Presidentja Jahjaga ka ndërmjetësuar ndërmjet partive në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve, në respektim të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kritereve që burojnë nga to. Presidentja në asnjë takim me liderët e partive politike nuk ka rekomanduar apo shtyrë një opsion të caktuar politik.

Është për keqardhje që një zyrtar i lartë institucional, i cili nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për tejkalimin e ngërçit, bën deklarata të pasakta për qëllime politike, në momentin kur qytetarët presin nga institucionet, përfshirë dikasterin që z. Shala udhëheqë, të tregojnë lidership dhe të gjejnë zgjidhje urgjente për çështjet e interesit thelbësor për vendin”, thuhet në reagimin e presidentets Jahjaga./lajmi.net