Presidentja i përgjigjet Ramush Haradinajt

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i është përgjigjur Ramush Haradinajt në kërkesën e tij që e para e vendit t’i përshpejtojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Jahjaga nuk i jep shpresë Haradinajt, por ia interpreton dispozitat ligjore.

Lajme

11/02/2014 17:01

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka kthyer përgjigje Kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj, në kërkesën e tij për përshpejtimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë.

Ajo më shumë ka interpretuar ligjet.

“Ju falemnderit për letrën e dërguar në Zyren e Presidentes së Republikës së Kosovës, më datën 10 shkurt, 2014 dhe për vlerësimet për situatën dhe zhvillimet politike në Kosovë, të cilën e kam marrë parasysh dhe shqyrtuar.”

“Siç e dini, shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve të rregullta të përgjithshme është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, respektivisht nenit 66 dhe nenit 4 të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërkohë që në rast të nevojës për shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, procesi rregullohet në bazë të neneve 82 dhe 66 të Kushtetutës, dhe nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.”

“Duke ju shprehur konsideratat e larta, ju falënderoj për bashkëpunimin dhe mbes e përkushtuar ndaj përmbushjes së rolit tim kushtetues që bashkërisht të punojmë në funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Presidentes Atifete Jahjaga.