Presidenti ua tregon deputetëve “peshën” ndërkombëtare
Presidenti Thaçi ka thënë se një kohë të konsiderueshme të punës së tij ia ka kushtuar edhe përpjekjeve për konsolidimit të shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Lajme
Vitin 2017 e fillova me vizitë në SHBA dhe takim me Zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, ndërsa e vazhdova me vizitën tjetër në SHBA në shtator, duke takuar Zëvendëspresidentin e tashëm Pence.
“Këto dy vizita kanë konfirmuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partner i Republikës së Kosovës, dhe se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon.Por, pjesë e këtij partneriteti është edhe përgjegjësia jonë që të sillemi si shoqëri dhe si shtet i pjekur politikisht, i gatshëm të luajë rol konstruktiv në rajon dhe më gjerë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit ka thënë se gjatë këtij viti ka realizuar vizita bilaterale dhe ka marrë pjesë në forume dhe konferenca të ndryshme.
“Me ketë rast, dua të veçoj edhe vizitat bilaterale në Kanada, Kroaci e Turqi.Kam takuar Presidentin e Bullgarisë në Sofje, Presidentin e Austrisë në Vjenë dhe Mbretin Abdullah në Aman.Jam nderuar me audiencë tek Ati i Shenjtë, Papa Françesku.Kam përfaqësuar Kosovën në Konferencën e Sigurisë në Mynhen të Gjermanisë, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Jordani, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Halifax, në Forumin e Kroacisë dhe në Samitin Bërdo-Brione dhe të tjera”, ka thënë ai.
Në këto forume, ndër të tjera me krenari ka thënë se e ka prezantuar transformimin e Kosovës nga një konsumues i mekanizmave të paqes e sigurisë, në një promovues dhe kontribuues të paqes dhe bashkëjetesës në mes të popujve.
“Kjo ka forcuar bindjen në botë se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe të qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore”, ka thënë ai.