Presidenti slloven: Jam i shqetësuar për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti slloven, Borut Pahor ka vizituar së fundi Serbinë, ndërsa nesër pritet të arrijë në Kosovë.

Lajme

28/11/2021 16:24

Gjatë kësaj vizite, Pahor ka deklaruar se është i shqetësuar pë disa procese dhe deklarata në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të ishte vendimtar për paqen dhe sigurinë, si dhe për mirëqenien e njerëzve në rajon.

“Faleminderit presidentit Vuçiq për këtë bisedë dhe për përmendjen e ushtarëve sllovenë në Kosovë, dhe unë do t’i vizitoj nesër”, tha Pahor pas takimit që pati me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Ndërsa i njëjti ka theksuar se gjatë vizitës së tij në Kosovë do të kërkojë të zbatohet gjithçka për të cilën është rëndë dakord në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit, në mes dy shteteve.

Presidenti i Sllovenisë tha se është i shqetësuar edhe sepse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë teksa tha se duhet të vazhdojë.

“Sllovenia është një përkrahëse e madhe e atij dialogu dhe ende e mbështet atë”, tha ai, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi nuk i kontribuon askujt.

“Bisedimet duhet të vazhdojnë për të rregulluar marrëdhëniet në mënyrë që të mos rrezikohet paqja, siguria dhe bashkëpunimi në rajon”, tha Pahor./Lajmi.net/