Presidenti më i varfër në botë: Jezusi ishte majtist

Ish-Presidenti i Uruguait, Jose Mujica, ka analizuar majtizmin dhe djathtizmin, duke dhënë disa përfundime interesante.

Bota

31/01/2016 21:35

Mujica, i njohur si “president i varfër në botë”, meqë 90 për qind të të ardhurave të tij ua ka dhënë të varfërve, e që ishte i njohur po ashtu për veturën VW të vitit 1987 që nuk e shiti as për një milion dollarë, ka thënë se historia e njerëzimit është si një lavjerrës që vazhdimisht lëkundet mes dy të kundërtave politike: e majta dhe e djathta!

“Unë mendoj se asnjëra nga këto dy palë nuk do të sjellë fitore të plotë”, ka thënë ai në një intervistë me RT, transmeton Telegrafi. “Asnjëra nuk është e përsosur”.

“Patologjia e ideologjisë të krahut të djathtë është konservatorizmi i tyre, i cili anon kah fashizmi. Në anën tjetër, problemi i krahut të majtë qëndron te infantilizmi, meqë karakterizohet nga dëshirat e bukura që janë të vështira për t’u arritur”, tha Mujica.

“Nga ky këndvështrim, mund të themi se perandori indian Ashoka ishte i majtë, udhëheqësi ushtarak dhe politik i Greqisë së lashtë, Epaminondas, reformatorët romakë, vëllezërit Gracchi, si dhe Jezu Krishti”, shtoi personi që udhëhoqi Uruguain nga viti 2010-2015, ndërsa kur e lëshoi postin kishte mbështetjen e 65 për qind të qytetarëve.

Gjatë mandatit të tij, Mujica e zhvilloi vendin dhe standardin jetësor. Ai ka refuzuar të shkojë në një vendbanim luksoz presidenciale, duke vazhduar jetën në shtëpinë e tij modeste, ku jetonte me gruan dhe qenin Manuel.