Presidenti i Zvicrës do të vizitojë Kosovën

Presidenti zviceran, Didier Burkhalter, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, do të zhvillojë një vizitë në disa vende të Ballkanit perëndimor. Serbia, Shqipëria dhe Kosova janë në agjendën e vizitës së tij që do të zhvillohet të enjten dhe të premten.

Lajme

23/04/2014 23:21

Burkhalter do të takojë në këto vende krerët institucionalë dhe me ta do të diskutojë për rolin e Zvicrës si kryesuese e OSBE-së.

Ballkani perëndimor është një rajon me rëndësi për OSBE-në, ku ajo është e përfaqësuar me gjashtë misione. Ndër prioritetet e kryesimit të OSBE-së nga Zvicra janë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim në këtë rajon, përpjekje që mbështeten edhe në angazhimin shumëvjeçar politik paqësor të Zvicrës në këtë pjesë të botës, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Jashtëm të Zvicrës, që e transmeton Albinfo.ch.

Gjatë vizitës në Shqipëri, në pjesën zyrtare, Burkhalter do të pritet nga presidenti, Bujar Nishani dhe ministri i jashtëm, Ditmir Bushati. Por ai do të takojë edhe të rinjtë shqiptarë që ndjekin kurse për të drejtën e shtetit, në kuadër të një projekti të OSBE-së.

Edhe gjatë vizitës në Kosovë, presidenti i Zvicrës do të ketë takime me të rinjtë. Atje ai do të bisedojë me të rinj shqiptarë dhe serbë lidhur me të drejtat e njeriut.

Pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me përfaqësues të tjerë qeveritarë, Burkhalter do të vizitojë Swisscoy-n, misionin ushtarak të Zvicrës në kuadër të KFOR-it. Ai do të ketë po ashtu një takim në komandën e KFOR-it dhe pjesëtarë të Swisscoy-t edhe në veri të Mitrovicës.