Presidenti i UEFA-s shpreh dëshirën ta vizitojë sërish Kosovën

Një delegacion i Federatës së Futbollit të Kosovës i kryesuar nga kryetari Agim Ademi dhe nga sekretari i përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, janë pritur sot (e mërkurë) nga kreu i UEFA-s, Alexander Ceferin.

Sport

12/12/2018 15:04

Në këtë takim miqësor dhe të përzemërt, kreu i UEFA-s i ka dhënë edhe një herë përkrahje të fuqishme presidentit Ademi dhe FFK-së, shkruan lajmi.net.

Ceferin po ashtu gjatë këtij takimi ka shprehur dëshirën që të vizitojë sërish Kosovën, dhe të shikojë nga afër edhe një ndeshje të kualifikimeve për Evropianin 2020 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Njoftimi i plotë i FFK-së:

Aleksander Çeferin, ka pritur sot në selinë e tij presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu. Në këtë takim tejet miqësor dhe të përzemërt, presidenti Çeferin i dha përkrahje të fuqishme dhe të vazhdueshme presidentit Ademi dhe FFK-së, si dhe shprehu gatishmërinë për ta përkrahur strategjinë e futbollit për FFK-në dhe projektet të cilat ia paraqiti presidenti Ademi për vitet në vijim.

Po ashtu, presidenti i UEFA-s u shpreh tejet i kënaqur dhe i mahnitur me zhvillimin, organizimin dhe punën e FFK-së dhe përgëzoi presidentin Ademi për punën e tij, si dhe për rezultatet e ekipeve kombëtare të të gjitha kategorive dhe sidomos të Kombëtares A. Çeferin shprehu dëshirën që ta vizitojë sërish Kosovën dhe ta shikojë nga afër edhe një ndeshje të kualifikimeve për Evropianin 2020 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Çeferin përgëzoi Ademin dhe Salihun edhe për raportet e mira me institucionet e shtetit të Kosovës dhe i falënderoj ato nëpërmjet tyre për përkrahjen dhe ndihmën që po i japin FFK-së në shumë segmente, e sidomos në përmirësimin e infrastrukturës dhe sipas tij ky është lajm i mirë për futbollin e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu e falënderuan presidentin Çeferin për pritjen shumë shoqërore dhe për mirëkuptimin, si dhe përkrahjen që ua dha objektivave dhe projekteve të presidentit, sekretarit dhe KE të FFK-së. Në fund, presidenti Ademi i bëri ftesë presidentit Çeferin  për ta vizituar Kosovën, të cilën ai e pranoi me kënaqësi. Ndërkohë, pas takimit presidenti Çeferin shtroi drekë për krerët e FFK-së në selinë e UEFA-s./Lajmi.net/