Presidenti i ri deri më 4 mars? Haxhiu: S’mund të lëviz pa firmat e kandidatëve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të përmbyllet deri më 4 mars, bazuar në interpretimet ligjore në fuqi. Pas takimit me kryetarët e komisioneve parlamentare, Haxhiu theksoi se afati është i qartë, por procedurat nuk mund të ecin përpara pa plotësimin e kushteve…

Lajme

18/02/2026 17:34

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të përmbyllet deri më 4 mars, bazuar në interpretimet ligjore në fuqi.

Pas takimit me kryetarët e komisioneve parlamentare, Haxhiu theksoi se afati është i qartë, por procedurat nuk mund të ecin përpara pa plotësimin e kushteve të parapara.

“Sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka duhet të përfundojë, por unë nuk mund të veproj pa i pasur nënshkrimet e kandidatëve”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje po zhvillon bisedime lidhur me emrin e presidentit të ri, Haxhiu tha se për këtë çështje duhet të deklarohen përfaqësuesit e partisë.

“Për këtë çështje ju lutem të diskutoni me përfaqësuesit e LVV-së. Si Kuvend, ne duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që kemi. Sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët – duke qenë se nevojiten 30 nënshkrime për dy kandidatë – do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë tutje”, theksoi ajo.

Haxhiu shtoi se para thirrjes së seancës duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, në mënyrë që procesi të zhvillohet në përputhje me përgjegjësitë institucionale dhe kushtetuese. /Lajmi.net/