Presidenti i KOK-ut dhe Ministri Çeku bëjnë ndarjen e Kupës së Kosovës në volejboll

Presidenti i sapozgjedhur i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi bashkë me Ministrin Hajrulla Çeku kanë bërë ndarjen e Kupës së Kosovës në volejboll.

Sport

27/03/2021 20:44

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka bërë sot ndarjen e Kupës së Kosovës në volejboll, konkurrenca e femrave, për klubin fitues M-Technologie nga Prishtina.

Bashkë me presidentin Krasniqi, në ndarjen e Kupës ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, me të cilin shikuan edhe ndeshjen.

Presidenti Krasniqi uroi Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK) me në krye Bahri Gjinovcin për organizimin e shkëlqyer të finales së Kupës, si dhe përgëzoi fitueset e Kupës për suksesin e radhës, duke iu uruar fat dhe suksese edhe në garat ndërkombëtare.

E pranishme ishte edhe nënpresidentja e KOK-ut, Mimoza Shkodra Bislimi, e cila bashkë me drejtuesit e FVK-së ndan medaljet për finalistet, Dritën e Gjilanit, si dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Musa Selimi.

Pas një loje dramatike, që shkoi deri në pesë sete, M-Technologie fitoi 3:2 në sete, në takimin e luajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë./Lajmi.net/