Presidenti i Juventus dëshmon kundër tifozëve: Na kanë bërë shantazh, ishin agresivë

Andrea Agnelli ka dëshmuar kundër tifozëve ultras të Juventus.

Sport

22/09/2019 15:19

Gjatë kësaj jave, policia e Italisë ka nisur një aksion të madh, ku ndër shumë arrestime, janë arrestuar edhe udhëheqës të tifozëve ultras të Juventus.

Presidenti i Juventus ka dëshmuar kundër tyre, duke thënë se tifozët i kanë bërë shantazh skuadrës.

Agnelli ka bërë të ditur se tifozët kishin filluar të shfaqnin agresivitet dhe të kërkonin bileta falas për të parë ndeshjet e skuadrës, përcjell lajmi.net.

Gjatë javës janë arrestuar 12 liderë të grupeve ultras, por detajet e investigimit nuk janë bërë të ditura, edhe pse thuhet se ndër të tjerash përmendet edhe shantazhi.

Reagimi i tifozëve erdhi në ndeshjen kundër Veronës, të cilët ishin të ulur në heshtje, pa ndonjë baner, kurse të tjerët prisnin jashtë stadiumit për të brohoritur me kritika drejt kryesisë.

Gjithashtu, kjo ishte ndeshja e parë që skuadra vendosi anëtarë të sigurimit tek tifozët ultras, pasi zakonisht liderët e grupeve nuk lejojnë një gjë të tillë, pasi ndihen sikur mund t’i kontrollojnë vetë situatat. /Lajmi.net/