Presidenti i FFK-së i uron gazetarët e sportit: Misioni juaj është i shenjtë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka lartësuar gazetarët e sportit në vend, duke e quajtur të shenjtë punën e tyre, në Ditën Botërore të Gazetarëve të Sportit.

Sport

02/07/2020 15:50

“Të dashur drejtues të SHGSK-së, të dashur gazetarë sportivë të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim, të KE-së së FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju përcjell urimet më të sinqerta, duke përfshirë këtu edhe doajenët e gazetarisë sportive që tashmë e gëzojnë pensionimin. Në muajt e ardhshëm na presin ndeshje të rëndësishme dhe sigurisht se ashtu sikurse ne dhe tifozët Dardanë, edhe ju i prisni me padurim sfidat e reja të Kombëtares së Kosovës, që tashmë është shndërruar në emblemë krenarie për shtetit tonë”,shkruhet në letër urimin e Ademit.

Ai u ka premtuar atyre, siç ka thënë, se federata do të jetë gjithmonë e hapur për ta dhe se do t’u dalë në ndihmë kurdo.

“FFK gjithmonë ka qenë e hapur dhe e afërt për gazetarët sportivë. Të njëjtën rrugë do ta ndjekë edhe në të ardhmen, duke i ndihmuar ata që të jenë afër Kombëtares së Kosovës kudo që ajo paraqitet. Gazetarët sportivë dhe mediet ku ata i pasqyrojnë të arriturat por edhe brengat e futbollit, janë një segment tejet i rëndësishëm për informimin e opinionit dhe vlerë e rëndësishme e kësaj shoqërie.”

Dita Ndërkombëtare e Gazetarëve të Sportit shënohet më 2 korrik për t’i kremtuar shërbimet e gazetarëve të sportit dhe kontributin e tyre për promovimin dhe mirëqenien e sportit.