Presidenti i FFK reagon pas sulmit me tritol që iu bë presidentit të FSHF

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka reaguar pas sulmit që i është bërë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Sport

25/01/2022 09:07

Para banesës së Dukës mbrëmë shpërtheu një sasi tritoli, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Këtë sulm ndaj tij, Ademi e ka cilësuar si të shëmtuar, përcjell lajmi.net.

Ademi ka dhënë përkrahjen e tij për Dukën dhe familjen e tij.

Shikoni më poshtë postimin e plotë të tij.

I tronditur me lajmin që mbrëmë vonë është sulmuar me tritol shtëpia e presidentit të FSHF-së, Armand Duka në Durrës.

Akti i tillë kriminal e i shëmtuar përveç se ka shkaktuar frikë e tronditje në familjen Duka, pa dyshim është një ngjarje e rëndë edhe për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi, veçmas duke pasur parasysh faktin se z. Duka është edhe anëtar i KE të UEFA-s.

Fatmirësisht miku im Armand Duka dhe familja e tij janë mirë dhe kanë kaluar pa pasoja nga ky akt i njerëzve të ligë. 

Familjes së tij i ofroj tërë mbështetjen time dhe të komunitetit të futbollit kosovar, me shpresë që kryerësit e këtij akti të vihen para drejtësisë dhe në të ardhmen të mos ballafaqohet me ngjarje të tilla. /Lajmi.net/