Presidenti francez premton ulje të taksave për të ndalur “Xhaketat e Verdha”

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se dëshiron që njerëzit të përfshihen më shumë në proceset demokratike përmes një thjeshtëzimi të rregullave për referendum dhe decentralizimit të funksioneve të qeverisë.

Bota

25/04/2019 19:42

Macron gjithashtu premtoi ulje të taksave për qytetarët francezë.

Premtimet e presidentit Macron bëhen pasi tash e disa muaj ai po përballet me protesta nga lëvizja që quhet “Xhaketat e Verdha”.

Masat e presidentit francez synojnë të heqin pakënaqësitë ndaj qeverisjes së tij edhe pse numri i protestuesve javët e fundit është ulur ndjeshëm.

“Xhaketat e Verdha” janë duke protestuar nga nëntori i vitit të kaluar. Protesta fillimisht nisi kundër ngritjes së çmimit të naftës më pastaj rezultoi me rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisjes së Macronit.

Protestuesit shumë shpesh janë përleshur me policinë duke shkaktuar rrëmujë në rrugët e Parisit.