Presidenti bën thirrje për unitet politik rreth dialogut: Sa herë jemi bashkuar, Kosova ka fituar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot po e mban fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

22/12/2017 13:50

 (I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se e kaluara e jonë është e dhimbshme dhe kujtimet për vuajtjet tona ende mbeten të freskëta.

Por, e kaluara e jonë, sipas presidentit Thaçi, është edhe ajo që na bën krenarë dhe na jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja.

“Për këtë qëllim, me përkushtim kam vazhduar punën për themelimin e Komisionit për të Vërteten dhe Pajtimin, që synon të ndihmojë përpjekjet e shoqërisë sonë për mbylljen e kapitullit të luftës, të armiqësive dhe arritjen e pajtimit të ndërsjellë.Prandaj jam i lumtur që pas një pune të madhe, kemi arritur të themelojmë ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.Jam i sigurt se puna e këtij komisioni do të japë rezultate konkrete gjatë vitit 2018 dhe më këtë rast, dua të falënderoj organizatat e familjeve tëtë pagjeturve, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet tona fqinje.

“Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është edhe përkushtimi ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sigurisht që kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces.Unë edhe sot, iu bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është me interes shtetëror”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se sa herë janë bashkuar të gjithë, Kosova ka fituar dhe qytetarët i kanë mbështetur.

“Kështu duhet të jetë përsëri, sepse e ardhmja e jonë, integrimi i shtetit tonë në strukturat veri-atlantike, varet në masë të theksuar nga ky proces.Në çdo rrethanë, unë ju siguroj juve të nderuar deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur, do të ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti: Kosova i mbron liritë dhe të drejtat e çdo qytetari

Ai ka folur për të arriturat e Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe për punën e përbashkët në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

“Sigurisht, prioritet i ynë i përbashkët mbetet gjithmonë angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.Në kuadër të këtyre përpjekjeve, jam angazhuar për respektim dhe fuqizim të të drejtave të njeriut për secilin qytetar të Republikës së Kosovës.Duke filluar nga diskutimet për nevojën për përfaqësim të barabartë të gruas në të gjitha institucionet e deri te Parada e Nderit, ku e kam bërë të qartë se shteti i Kosovës, shoqëria kosovare, janë ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe barazisë për secilin qytetar”, ka thënë ai.

I pari i shtetit ka thënë se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta në përpjekje për të realizuar aspiratat e tyre.

Kjo, sipas presidentit Thaçi, nënkupton që ne duhet të sigurojmë prosperitet dhe dinjitet për secilin qytetar, qoftë për punëtorin, për pensionistin, mjekun, policin, ushtarin, për mësuesin, studentin apo nxënësin në shkollë.

“Ne e dimë se për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, ne duhet ta zhvillojmë ekonominë tonë dhe ta rrisim prodhimtarinë vendore.Në shërbim të këtij qëllimi, jam angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e ekonomisë kosovare, të prodhimeve kosovare, në përfshirjen sa më të madhe të diasporës në investimet në Kosovë”, ka thënë ai.

Me konsolidimit e shtetit tonë, presidenti ka thënë se përkrahja e zhvillimit ekonomik të vendit ka filluar të marrë vend qendror në angazhimin e tij si, por edhe të institucioneve tjera të shtetit të Kosovës.

“Në koordinim me institucionet relevante, e kam përkrahur nënshkrimin e kontratës për projektin për Kosovën e Re, që sjell investimin më të madh privat në historinë e Kosovës, me 1,3 miliardë euro investime e që do të hap mbi 10 mijë vende pune.Përveç kësaj, unë vazhdoj të besoj se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se ka përkrahur përfundimin e projekteve për autostrada që do të lidhin Kosovën me rajonin e më gjerë, duke u mundësuar lëvizje më të lirë njerëzve dhe mallrave.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot ishte kënaqësi edhe inaugurimi i segmentit të dytë të autostradës “Arbën Xhaferi”.