Presidentët mblidhen në Shqipëri

Katër Presidentët, Bujar Nishani, Atifete Jahjaga, Filip Vujanoviq dhe Gjorgje Ivanov, takohen sot, në Hotelin “Adriatik”, pranë Plazhit të Durrësit. Në fokus të takimit është forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal.

Lajme

16/09/2013 09:34

Më shumë simbolike, sesa vendimarrëse. Por jo për t’u nënçmuar.

Takimet rajonale të katër Presidentëve, japin një shpresë, për një bashkëpunim më të mirë mes shteteve të rajonit, në të mirë të forcimit të ekonomisë dhe stabilitetit rajonal.

Katër Presidentët, nikoqori i takimit Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, takohen sot, në Hotelin “Adriatik”, pranë Plazhit të Durrësit.

Takimet e përvitshme jozyrtare të katër Presidenteve të vendeve të rajonit janë një nismë e ish-Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, që nisi rrugëtimin në Vlorë, më 23-24 qershor  të vitit 2009. Vijoi në Prizren, më 26-27 qershor 2010, kur President ishte Fatmir Sejdiu dhe vazhdoi në Ohër, më 11-12 korrik të vitit 2011.

Takimi i fundit u mbajt në Budva, më 4-5 dhjetor të vitit 2012.

Në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë, që është nikoqire e këtij takimi, thuhet se, ndër të tjera, synimi i këtyre takimeve është gjetja dhe shfrytëzimi i mëtejshëm i fushave me interes të përbashkët që çojnë drejt forcimit të marrëdhënjeve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal midis vendeve tona.

“Ky bashkëpunim është një mekanizëm thelbësor që ndikon pozitivisht në përmbushjen e aspiratës se përbashkët eurointegruese të vendeve tona|.

“Këto takime dëshmojnë për lidhjet e ngushta midis vendeve tona dhe për kontributin personal të Presidentëve për konsolidimin e tyre dhe për nxitjen e përmbushjes së objektivave tona strategjike”.

“Ne urojmë që bashkëpunimi rajonal të shkojë përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë dhe të marrë kuptim nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, kapërcimin e barrierave historiko-politike, lëvizjes së lirë të njerëzve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të kulturës, traditave e zakoneve të popujve tanë dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës e konkurrues, dhe të gatshëm për t’u bërë denjësisht pjesë e familjes evropiane”.

“Tematika kryesore, rreth së cilës do të diskutohet në këtë Samit të pestë të radhës është: “Përqasje për shfrytëzimin praktik të mundësive për bashkëpunim rajonal më efikas”.