Presidenca ia rikujton SHBA-ve katër pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit që i shkeli Serbia

Presidenca e Kosovës ia ka kujtuar SHBA-ve se Serbia nuk u është përmbajtur zotimeve kryesore të arritura në marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington.

Lajme

06/07/2021 19:38

Shefi i kabinetit të Osmanit, Blerim Vela, me anë të një postimi në Twitter, ka thënë se Serbia në Uashington ka marrë përsipër detyrime të cilave nuk i është përmbajtur, shkruan lajmi.net.

Ndër të tjera, Vela ka përmendur fushatën e çnjohjeve të Kosovës, shpalljen e Hezbollahut si organizatë terroriste si dhe ambasadën në Jeruzalem.

“Serbia mori detyrime në Uashington të cilave nuk po u përmbahet: Ndalimi i fushatës së çnjohjeve të Kosovës, shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste, ndalimi i përdorimit të pajisjeve 5G nga shitës të pabesueshëm, lëvizja e Ambasadës së saj në Jeruzalem”, ka shkruar Vela.

Ndryshe, nesër në Kuvendin e Kosovës pritet të diskutohet pikërisht për këtë marrëveshje.

Kjo pasi që kryeministri Kurti dhe qeveria në përgjithësi, kanë folur me tone kundërshtuese për këtë marrëveshje, çka ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës. /Lajmi.net/