Presidenca dhe EULEX-i i quajnë të pavërteta pohimet e Avokatit të Popullit

Presidenca e Kosovës dhe EULEX-i kanë mohuar sot pretendimet e Avokatit të Popullit se po pengojnë procesin e hetimit.

Lajme

11/03/2015 19:42

Presidenca thotë se asnjëherë nuk ka refuzuar t’i përgjigjet asnjë institucioni që është kategori kushtetuese. Të pavërteta Zyra e Presidentes i quan deklaratat e Sami Kurteshit, i cili ka deklaruar haptas se Presidentja po heziton të përgjigjet në pyetjet e kërkuara, raporton KTV.

Kurteshi ka akuzuar Presidenten se po fsheh dokumente, pavarësisht se ky institucion është i obliguar të bashkëpunojë. Megjithatë, Presidenca thotë se nuk ka penguar asnjë proces hetimor.

Ombuduspersoni ka përfshirë edhe shefin e zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar në akuzat e tij, duke thënë se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani kishte pasur kontakte me përfaqësuesit e BE-së për zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, veprim ky të cilin Avokati i Popullit e cilëson antiligjor, transmeton Koha.net.

Në përgjigjën e dhënë KTV-së, Zyra e BE-së akuzon Avokatin e Popullit për shkelje të protokollit diplomatik. Avokati i Popullit insiston se janë bërë shkelje procedurale e ligjore kur është vazhduar mandati i tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.