Premton kujdes për pakicat

Kandidati i LDK'së për Prizrenin, Eqrem Kryeziu, pakicat i sheh si partnerë të barabartë. Thotë se me LDK`në pakicat e ndjenë veten komodë.

Lajme

22/10/2013 16:23

Nëse e merr timonin e Komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziu minoritetet do t`i trajtojë si të barabartë. Ai tha se pakicat me LDK`në e ndjejnë vetën komodë.

Prizrenpress citon Kryeziun të ketë thënë se komuniteti turk i ka pasur punët më mirë gjatë kohës sa LDK ishte në pushtet.

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prizrenit këto komente i bëri gjatë vizitës në Lubizhdë, fshat i banuar kryesisht nga komuniteti boshnjak.

“LDK ka qenë shumë kohë e shtypur nga totalitarizmi, nga pushtetet antipopullore dhe ka qenë e persekutuar dhe ka vuajtur, për këtë arsye ne jemi të ndjeshëm dhe të gjitha vendimet LDK i ka marrë duke i konsideruar pakicat si të barabartë e jo ledhatuese e të rrejshme siç i marrin sot”, ka thënë Kryeziu.

“Vetë zyrtarët e partive turke më kanë thënë se i kanë pasur punët më mirë me ne në pushtet se sa tash, sepse ne i kemi trajtuar si të barabartë në ndërtimin e Kosovës demokratike”.

Kryeziu më pas shtoi se nuk ka shanse që t’u thotë pakicave “mos qitni kandidat” pasi, siç thotë ai, kjo është politika parimore dhe jokonjukturale e LDK’së.

Kryeziu ka thënë se LDK është për këtë arsye synon “ta kthejë për së mbari rrjedhën e jetës në Kosovë”.

“Sot në Kosovë nuk ka një komunikim normal në familje, sepse të gjithë janë në stres nga pasiguria e vet jetës publike mbrapsht të kurdisur. Për këtë arsye jemi ne, për ta kthyer së mbari rrjedhën e jetës në Kosovën tonë të lirë”, tha Kryeziu.