Premton çrrënjosjen e korrupsionit në Gjilan

Kandidatja e PD’së për Kryetare të Gjilanit, Labinotë Demi- Murtezi, thotë se kjo parti është e përkushtuar për profesionalizëm në punë, ndershmëri dhe korrektësi.

Lajme

13/10/2013 09:13

Kandidatja e Partisë së Drejtësisë për Kryetare të Gjilanit, Labinotë Demi- Murtezi, thotë se në rast se fiton garën do të punojë shumë për ta çrrënjosur korrupsionin në këtë qytet.

Ajo thotë se Partia e Drejtësisë është e përkushtuar për profesionalizëm në punë, ndershmëri dhe korrektësi.

“Qytetarët e qytetit të Gjilanit duhet të votojnë programin e Partisë së Drejtësisë, pasi që programi i partisë sonë ofron transparencë të madhe dhe qasje të barabartë të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, me të mirat e qytetit tonë, siç është buxheti komunal, transparenca në punë, efikasiteti dhe mbi të gjitha një zhvillim të mirë dhe të nevojshëm të resurseve të qytetit në të mirë të qytetarëve tanë”.

“Partia e Drejtësisë nuk ofron, por premton çrrënjosje të korrupsionit, vënien në vend të profesionalizmit, dhënie të hapësirës së nevojshme kuadrove të pa angazhuara deri më tani, largimin në masën e duhur të nepotizmit dhe familjarizimit”.

“PD premton menaxhimin e drejtë, racional dhe të sinqertë të të gjitha të mirave buxhetore dhe resurseve tjera që ka komuna jonë”

(Kosovapress, Lajmi.net)