Premtojnë rend e siguri

Policia e Kosovës, EULEX e KFOR thonë se kanë planifikuar masat e sigurisë për ditën e zgjedhjeve, ndërsa thonë se edhe kësaj radhe, votimeve në Veri do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë.

Lajme

29/11/2013 11:20

Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i kanë thënë se masat e sigurisë të parapara me rastin e balotazhit në zgjedhjet për kryetarë të komunave në gjithë Kosovën të dielën, me 1 dhjetor, janë planifikuar, përgatitur dhe koordinuar me kujdes.

Strukturat vendore e ndërkombëtare të rëndit dhe sigurisë në Kosovë, përmes një deklarate të përbashkët, janë shprehur se votimeve në pjesën veriore të Kosovës, edhe kësaj radhe, do t’i kushtohet vëmendje e veçantë.

“Kujdes i veçantë do t’i kushtohet veriut në rrethin e dytë të votimit për kryetar komune në veri të Mitrovicës dhe ri-votimit të pjesshëm në Zveçan”.

“Policia e Kosovës, si intervenues i parë do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe pikave tjetra kyçe, e përkrahur dukshëm nga EULEX’i, si intervenues i dytë”.

“KFOR’i, si intervenues i tretë, do të jetë i dukshëm afër qendrave të votimit dhe do të vendosë trupa të përqendruar në veri. KFOR-i ka aftësinë për të dërguar trupa në çdo pjesë të Kosovës, në mënyrë që të përkrahë Policinë e Kosovës që të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt”.

“Si në raundet e mëparshme, operacioni në veri është projektuar për të garantuar të drejtën e njerëzve për të votuar, dhe që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt”.

“Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i janë përgatitur që të intervenojnë menjëherë nëse kërcënohet procesi zgjedhor apo rrezikohet qetësia dhe siguria e votuesve, anëtarëve të komisioneve zgjedhore, lehtësuesve të OSBE’së apo vëzhguesve”.

Në deklaratë thuhet se bashkërendimi mes Policisë së Kosovës, EULEX’it, KFOR’it dhe OSBE’së “vazhdon të jetë i shkëlqyeshëm”.