Premtimi i Limajt: Pagën minimale do ta rrisim në 250 euro

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrin nëse vijnë në qeveri do të jetë rritja e pagës minimale në 250 euro.

Lajme

12/09/2019 14:23

“Rritja e pagës minimale do të bëhet jo vetëm bazuar në aspektin ligjor, por edhe domosdoshmërinë për një mirëqenie më të mirë të punëtorëve, por gjithashtu rritjen e produktivitetit në vendet e punës”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

NISMA Socialdemokrate është duke e harmonizuar programin qeverisës bashkë me partnerët e saj ku vend të rëndësishëm do të zënë politikat e mirëfillta për t’ua ofruar qytetarëve mirëqenien e duhur.

NISMA në qeveri do të angazhohet për një shoqëri, e cila në thelbin e saj ka vlerat si liria, demokracia dhe solidariteti.

NISMA Socialdemokrate e ka pasur gjithnjë në fokus rritjen e pagës minimale në vend dhe ka treguar përkushtimin e saj duke e shpjeguar rëndësinë e rritjes së saj, me qëllim të avancimit të kushteve të punëtorëve, por gjithashtu duke nxitur një treg më konkurrues me fuqi punëtore më të përkushtuar për punë.

Një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrim si Qeveri e ardhshme do të jetë rritja e pagës minimale në 250 euro, dhe nuk do të ndalemi me kaq.

Rritja e pagës minimale do të bëhet jo vetëm bazuar në aspektin ligjor, por edhe domosdoshmërinë për një mirëqenie më të mirë të punëtorëve, por gjithashtu rritjen e produktivitetit në vendet e punës.

Bashkë për Shtetin. /Lajmi.net/