Premtimi i Kurtit në 2017: E rëndësishme që testin “PISA” ta kalojmë me sukses

Janë bërë publike rezultatet e testit “Pisa” në të cilin Kosova është ranguar në fund të pusit. Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë, shkruan lajmi.net. Ky rezultat siç duket përbën një nga dështimet e radhës së Albin Kurtit, premtimet…

Lajme

05/12/2023 13:00

Janë bërë publike rezultatet e testit “Pisa” në të cilin Kosova është ranguar në fund të pusit.

Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë, shkruan lajmi.net.

Ky rezultat siç duket përbën një nga dështimet e radhës së Albin Kurtit, premtimet e papërmbushura, apo sido që opinioni ta vlerësojë këtë.

Në vitin 2017, gjersa Kurti aspironte ta merrte kryesimin e Qeverisë, premtonte kalim me sukses të testit në të cilin sot u mësua se Kosova dështoi keq.

“Për neve është qenësore që kuadrot më të mira që dalin nga universitetet tona të mbahen në sistemin arsimor, kuadrot më të mira duhet të kenë motivim nga shteti që të mbeten përbrenda procesit mësimor. Është për neve e rëndësishme që testin e ardhshëm të PISA-s ta kalojmë me sukses sepse kemi mësuar e jo se jemi përgatitur enkas për testin e PISA-s”, thoshte Kurti.

Ai kishte hënë se testin e ardhshme të PISA-s, me të në qeveri do te kalojmë me sukses. Sipas tij, për një progres shoqëror është e mirë lidhja e arsimit me ekonomi.

Bien në ujë edhe këto fjalë të Kurtit pasi që Kosova sot shënon një rezultat tmerrësisht të dobët.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ndërkaq ia la fajin pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp. /Lajmi.net/