Premtim Jeshil

Kryetari aktual Prishtinës, Isa Mustafa, sot ka mbjellë lule në parkun e ndërtesave në lagjen Dardania. Gjithashtu, premtoi se do të investojë edhe më shumë në gjelbërim.

Lajme

05/10/2013 13:52

Të shtunën, Isa Mustafa deshi ta tregojë preokupimin e tij për një Prishtinë të gjelbëruar kur mbolli disa lule në një park të qytetit, mes ndërtesave shumëkatëshe.

Kryeqyteti, në fakt, është i tëri i betonuar.

Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, i cili kandidon për një mandat të tretë në emër të LDK’së, aktivitetin e fushatës zgjedhore  e ka vazhduar në lagjen Dardania.

Ai në mënyrë simbolike mbolli lule në parkun e ndërtesave të kësaj lagjeje dhe shpalosi programin e tij për gjelbërimin.

“Këtë vit ne kemi ndarë 1 milion euro për gjelbërim të qytetit, ndërkaq në vitet e ardhshme me planifikojmë që shuma e cila ndahet për gjelbërim të jetë edhe më e madhe”.

“Ne e kemi në plan që të shtojmë numrin e drunjve dekorativ në qytet në mënyrë që t`i mbjellim në të gjitha rrugët, rrugicat, në të gjitha parqet  dhe në pjesët ku kemi degjenerim të drunjve”.

Sipas Mustafës, në katër vitet e ardhshme, komuna planifikon mbjelljen e së paku 12 mijë drunjve të ri të cilësisë më të lartë në përpjekje, siç është shprehur, për ta ndryshuar edhe mikroklimën në qytet dhe për ta bërë atë më të këndshëm.

“Po ashtu jemi të interesuar që edhe varrezat edhe ato myslimane edhe  varrezat tjera në qytet t`i mirëmbajmë t`i gjelbërojmë dhe t`i kultivojmë në mënyrë që standardi i tyre t`i përgjigjet kulturës, mirësjelljes dhe edukatës të cilën ne e kemi zhvilluar në komunën e Prishtinës”.

“Këto standarde me mjeshtëri do t`i respektojmë dhe do t`i përmbahemi në periudhën e ardhshme”.