Premierliga më e mirë pa Suarezin

Drejtori ekzekutiv i Premierligës, Richard Scudamore mendon se largimi i Luis Suarezit nga Liverpool në drejtim të Barcelonës është një gjë e mirë për elitën e futbollit anglez.

Sport

13/08/2014 22:46

Drejtori ekzekutiv i Premierligës, Richard Scudamore mendon se elita e futbollit anglez do të jetë më e mirë pa Luis Suarezin, pas transferimit të tij nga Liverpool në Barcelonë.

Ylli uruguaian realizoi 31 gola për Reds që përfunduan në pozitën e dytë më 2013-14, por shkaktoi polemika gjatë Kampionatit botëror kur kafshoi mbrojtësin italian, Giorgio Chiellini, incidenti i tretë i kësaj natyre në karrierën e deritashme.

Kjo bëri që ai të dënohet nga çfarëdo aktiviteti të futbollit deri në fund të tetorit. Andaj, Scudamore beson se Suarez bëri mirë që u largua nga Premierliga.

“Mendoj se është dashur të shkonte. Ai është futbollist i mrekullueshëm dhe nuk dua ta mohoj talentin e tij. Por, është futbollist i cili është vetëm çështje kohe kur do ta shkaktojë një incident të radhës dhe kjo nuk është në dobi të Premierligës”, deklaroi Scudamore.