Prekëse, 74-vjeçari vajton rrënimin e shtëpisë në Tiranë (Video)

Prej ditësh, qytetarët që preken nga bulevardi i ri i Tiranës dhe për pasojë do t’iu shemben shtëpitë, kanë shpërthyer në protesta kundër Bashkisë ku kanë kërkuar një shpronësim më të drejtë.

Lajme

16/03/2016 10:34

Protestat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët pasi INUV ka zbarkuar në zonën e tyre dhe ka nisur të shembë banesat.

Në këtë video të postuar nga “Nisma Thurje” duket dhimbja dhe vuajtja e një qytetari i cili do të mbetet në mes të 4 rrugëve.

“Dhimbja e një babai, bashkëshorti, njeriu të cilit po i shembin shtëpinë duke i dhënë në këmbim asgjë e duke e lënë në mes të katër rrugëve. Banorëve të shtëpive që preken nga Bulevardi i Ri u është bërë vlerësimi i shtëpive jo sipas vlerës së tregut por sipas kostos së ndërtimit. E për më tepër asnjë qindarkë nuk u është lëvruar ende duke i lënë në qiell të hapur e pa asnjë alternative. “Të fortë me të dobëtit e të dobët me të fortin” po kthehet në moto qeverisëse”, shkruan Nisma Thurje

Qytetari ka pretenduar se i është vlerësuar shumë pak banesa e tij, vetëm 30 milionë lekë të vjetra.

Ajo çka qytetari ka dashur është t’ia lerë banesën djalit të vet. I është dashur të qëndrojë më shumë se një orë mbi çati, por në fund nga ndërhyrja e policisë i moshuari 74 vjeçar ka zbritur.

YouTube player