Preferon një Kryesues Konsensual

Shpend Ahmeti preferon që Kuvendi Komunal i Prishtinës të ketë një kryesues konsensual. Thotë se janë pajtuar me përfaqësuesit e subjekteve që Kryesuesin ta zgjedhin javën e ardhshme. E përjashton mundësinë që skenari i Malishevës të përsëritet në Prishtinë.

Lajme

13/01/2014 12:46

Përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës janë pajtuar sot që javën e ardhshme të organizohet takimi i parë i Kuvendit Komunal, në të cilin pritet të zgjedhjet Kryesuesi.

Pas takimit me përfaqësuesit e partive politik, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk do të insistojnë në kandidatin e tyre për kryesues.

\"shpend

Ai thotë se është më shumë i interesuar për zgjedhjen e një Kryesuesi konsensual.

“Sot i kemi takuar udhëheqësit e grupeve të këshilltarëve komunal të secilit subjekt politik. Kjo është një praktikë të cilën duam ta konsolidojmë edhe në të ardhmen, që para çdo ftese për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal t`i takojmë të gjitha grupet, në mënyrë që ta diskutojmë edhe rendin e ditës dhe të diskutojmë edhe pikat të cilat ndoshta ne nuk i kemi pasur në plan që t`i fusim”.

“Sot ka qenë takimi që të vazhdojmë sa më parë me konstituimin e të gjitha organeve komunale, në këtë rast të zgjedhim Kryesuesin e Kuvendit Komunal, për shkak se me dispozita ligjore neve na duhet që më së largu 30 ditë pas betimit të kemi kryesues”.

“Duke e ditur faktin që më 26 dhjetor e kemi bërë betimin në Kuvendin Komunal atëherë i bie që javën e ardhshme më së largu ta organizojmë takimin e Kuvendit Komunal me ç`rast do ta zgjedhim edhe kryesuesin”.

“Sot veçse u dakorduam edhe njëherë dhe informuam të gjithë për procedurat e votimit të fshehtë në tri raunde dhe dy raunde të cilat i parasheh ligji. Të gjithë kanë të drejtë të kandidohen”.

“Edhe njëherë para të gjitha subjekteve politike shpreha dëshirën time personale dhe të administratës tonë që ta kemi një Kryesues i cili është sa më konsensual. Kjo do të thotë që një Kryesues që merr një numër më të madh të votave në mënyrë që të funksionojë Kuvendi pastaj si duhet”.

“Unë sot i kam pyetur të gjitha subjektet politike se a janë gati brenda subjekteve tyre politike që të procedojnë me zgjedhjen e kryesuesit, dhe të gjithë u deklaruan pozitivisht”.

“Do të thotë se janë gati të procedojnë sa më shpejtë me mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal ku do të zgjedhin Kryesuesin”.

“Mundësisht do të vazhdojmë edhe në përzgjedhjen e Komitetit për Politika dhe Financa që është komiteti më i rëndësishëm në Kuvendin Komunal”.

Ahmeti e ka përjashtuar mundësinë që të shkaktohet ndonjë ngërç me rastin e zgjedhjes së Kryesuesit, ashtu siç ka ndodhur në Komunën e Malishevës.

“Ne nuk do të insistojmë në kandidatin tonë për Kryesues me ç`rast ne kemi potencuar se ne jemi të interesuar ta kemi një kryesues konsensual. Nuk mendoj se do ta kemi ngërçin e njëjtë me disa Komunat të cilat i potencuat. Mendoj se në Prishtinë do të shkojë shumë më thjeshtë edhe pa koalicione mirëpo me diskutime se cili do të jetë Kryesuesi më i mirë”.

\"DSC_0414\" \"DSC_0420\"