Preferencat në matje

Vëzhguesit europianë konstatuan se RTK favorizoi PDK’në gjatë fushatës. Ivan Godarsky thotë se ka “preferencë”, por jo “anim”. Mufail Limani i konsideron shokuese këto kualifikime. Por, i tërë rrëfimi sillet rreth një gabimi metodologjik.

Lajme

21/11/2013 17:40

Misioni i Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EUEOM) ka vlerësuar në raportin preliminar se gjatë fushatës zgjedhore Radio Televizioni i Kosovës ka pasur preferencë të qartë për partinë në pushtet, PDK’në.

Ky raport është publikuar dy ditë pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, kurse raporti tjetër do të publikohet pas balotazhit.

Në pjesën që i kushtohet mediave, thuhet se ato e kanë përcjellë fushatën në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke ua bërë të mundur garuesve që t’i transmetojnë mesazhet e tyre, si dhe duke u ofruar votuesve informata të larmishme për fushatat.

“Megjithatë, Televizioni Publik RTK 1 shfaqi preferencë të qartë në prezantimin e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet”.

Sipas EUEOM, në emisionet e lajmeve, Televizioni Publik RTK 1 demonstroi “preferencë të dukshme në paraqitjen e PDK’së, posaçërisht udhëheqësit të saj, Kryeministrit”.

Ky raport kundërshtohet nga RTK.

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Mufail Limani, thotë për lajmi.net se Transmetuesi Publik ka qenë rehat në punën e vet deri në publikimin e raportit preliminar të Misionit të BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Publikimi i këtij raporti, sipas tij, i ka hapur rrugën një fushate kundër RTK’së dhe Transmetuesi Publik është dëmtuar rëndë nga ky raport.

“Ajo çfarë kam parë nga raporti preliminar, që ka të bëjë me mbulimin e fushatës zgjedhore nga ana e RTK’së,  ka qenë shokuese”.

“Vlerësimi për ‘anshmëri’ dhe ‘preferenca’, pa asnjë lloj argumentimi ose reference në fakte e statistika, e ka dëmtuar rëndë RTK’në”.

“Është fakt se deri në momentin e publikimit të atij kualifikimi, asnjë parti politike garuese nuk ka shprehur në asnjë formë asnjë lloj ankese ndaj RTK’së – as drejtpërdrejt në RTK, e as përmes KPM’së, ose instancave të tjera gjegjëse. Fushata kundër RTK’së ka filluar pastaj”.

“Kjo për mua mjafton që këto lloj vlerësimesh t’i shoh si profesionalisht jorelevante. Shkurt, me aq sa e kuptoj unë, ajo që kam parë është një deklaratë e sertë politike, që as forcat më ekstreme politike kosovare nuk e kanë bërë gjatë fushatës dhe pas saj. Tjerat janë propagandë e kotë, të cilës ne patjetër që do t’i rezistojmë me më shumë punë dhe me më shumë cilësi programore”, thotë Mufail Limani për lajmi.net.

Por, analisti për media nga Misioni i BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EUEOM), Ivan Godarsky, në një deklaratë për lajmi.net ka mbrojtur qëndrimin e shprehur se RTK ka pasur preferenca gjatë fushatës.

I pyetur nga lajmi.net, Godarsky shprehet se PDK ka marrë mbulimin më të madh nga shumica e mediave në Kosovë, por RTK është përmendur në mënyrë specifike në raport pasi që “shërbimi i Transmetuesit Publik bart përgjegjësi tjera më të mëdha, për shkak se paguhet nga paratë e taksapaguesve”.

“Deklarata Preliminare e Misionit Vëzhgues të BE’së në pjesën e vet për media u referohet segmenteve të ndryshme të mbulimit medial. Ky vlerësim është bazuar në gjetjet e monitorimit të mediave të Misionit Vëzhgues sa i përket mbulimit të lajmeve”, ka thënë Godarsky.

“Gjetjet tona treguan se partia në pushtet, PDK, e përfaqësuar në shumicën e rasteve nga lideri i saj, Kryeministri Hashim Thaçi, kishte mbulimin më të madh gjatë gjithë periudhës së monitoruar (nga 7 tetori) në programet e lajmeve qendrore, që përfshijnë dy edicionet e lajmeve të mbrëmjes dhe kronikat zgjedhore të transmetuara më vonë në mbrëmje.”

“Bazuar në këto gjetje, konkluzioni preliminar ishte se RTK tregoi preferencë ndaj PDK’së”.

Godarsky shprehet se ky Mision do ta lëshojë një Deklaratë Preliminare edhe pas garës së balotazhit, e cila gjithashtu do ta përmbajë pjesën e mediave, ndërsa një përshkrim më i gjithëmbarshëm rreth kësaj çështjeje do të përfshihet në raportin përfundimtar të Misionit Vëzhgues që pritet të publikohet në fillim të vitit 2014.

Ai shpjegon se monitorimi i mediave është bërë sipas metodologjisë standarde të Misioneve të BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

“Kjo nënkupton se Misioni ka monitoruar çdo ditë, disa nga mediat më të rëndësishme (15 prej tyre), ku përfshihen mediat transmetuese, online dhe ato të shtypura, në mënyrë që të vlerësohet mbulimi medial i subjekteve politike respektive”.

“Në rastin e mediave transmetuese, përfshirë edhe Transmetuesin Publik RTK, Misioni monitoroi periudhën e shikueshmërisë më të madhe, nga 18:00 deri në 24:00”, thotë ai.

Sipas Godarskyt, analistët nga ky mision janë takuar edhe me përfaqësues të shumtë të mediave, gazetarë, organizata të shoqërisë civile dhe autoritete respektive, në mënyrë që të mësojnë pikëpamjet e tyre rreth fushatës dhe mjedisit medial në përgjithësi.

“Të dhënat tona tregojnë se PDK ka marrë mbulimin më të madh gjatë tërë periudhës së monitorimit në edicionet e lajmeve të mbrëmjes. Dhe përfundimi ynë ishte se RTK tregoi preferencë ndaj PDK’së. Nuk flasim për anim”, ka thënë Godarsky për lajmi.net.

Mirëpo, Godarsky ka thënë se vlerësimet e Misionit janë bërë duke u bazuar vetëm në aspektin kuantitativ/empirik, e jo edhe në atë kualitativ.

Këtu nis edhe lëmshi që fijen e ka në një gabim metodologjik.

Aspekti kuantitativ nënkupton përqindjet e hapësirës dhe minutazhit të dedikuar për partitë.

Por, vlerësimet e Misionit nuk e kanë marrë për bazë edhe aspektin kualitativ, pra qëndrimet redaksionale, formulimet në raportimet e gazetarëve, kontekstualizimin e informatave, dallimet në përzgjedhjen e aksentëve kryesorë, hiperbolizimet apo etiketimet, etj.

Artan Muhaxhiri, ekspert i hulumtimeve sociologjike, i cili ka monitoruar për një kohë të gjatë mediat, përfshirë edhe në kohën e fushatave zgjedhore, shpjegon për lajmi.net gabimin metodologjik.

“Kjo qasje është në kundërshtim me kriteret ndërkombëtare të metodologjisë së monitorimit të mediave, sepse, sipas këtyre kritereve, vetëm aspekti i hapësirës/minutazhit nuk është i mjaftueshëm për dhënien e konkludimeve për mënyrën e prezantimit të partive në media.”

“Dallimet në prezantim – përveç nëse janë drastike, të jashtëzakonshme – janë rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës së angazhimit të partive politike në fushatë”.

“Pra, nëse partitë dallojnë për nga numri i aktiviteteve në fushatë, rrjedhimisht është e logjikshme që ky dallim të reflektohet edhe në hapësirën/minutazhin e prezantimit të tyre në media”.

“Jam i befasuar me këtë mënyrë monitorimi të mediave”.

Artan Muhaxhiri përmend se një qasje e tillë nuk është aplikuar në monitorimet e mediave në zgjedhjet e mëhershme të mbajtura në Kosovë, të realizuara nga Këshilli i Europës, në të cilat ai ishte i angazhuar.

Ivan Godarsky nuk i ka prezantuar përqindjet e hapësirës dhe minutazhit për mediat e monitoruara.

“Këto përqindje do të bëhen të ditura në raportin final të Misionit, në fillim të vitit 2014”, ka thënë ai për lajmi.net.