Prapaskenat e sulmit në Uashington D.C: Trump shpëton, i dyshuari arrestohet – krejt çka ndodhi
Rreth orës 20:35 të së shtunës, u dëgjuan të shtëna në Washington Hilton në darkën e korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë çka trazoi të pranishmit, të cilët menjëherë kërkuan mbrojtje. Siç raportuan mediat ndërkombëtare pas pak minutash, agjentët e Shërbimit Sekret nxituan tek presidenti amerikan, Donald Trump dhe e shoqëruan atë bashkë me Zonjën e…
Bota
Rreth orës 20:35 të së shtunës, u dëgjuan të shtëna në Washington Hilton në darkën e korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë çka trazoi të pranishmit, të cilët menjëherë kërkuan mbrojtje.
Siç raportuan mediat ndërkombëtare pas pak minutash, agjentët e Shërbimit Sekret nxituan tek presidenti amerikan, Donald Trump dhe e shoqëruan atë bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump dhe kabinetin e tij jashtë dhomës.
Nuk kaloi as 1 orë dhe Donald Trump bëri komentet e tij të para, duke shkruar në Truth Social se “autori i dyshuar i të shtënave është kapur”.
Pas këtij deklarimi, presidenti i ShBA-së ndau një video që tregonte fillimin e të shtënave, dhe më pas publikoi fotografinë e të dyshuarit.
Rreth orës 22:50 mediat amerikane identifikuan të dyshuarin si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, duke cituar burime të shumta.
Sipas Sky News, Allen në një Linkedln e përshkruan veten si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuterësh me diplomë, zhvillues lojërash i pavarur me përvojë, mësues me lindje”.
Imazhi i profilit, nga maji 2025, duket se përputhet me pamjen e burrit të parë në postimin e Donald Trump në mediat sociale, i cili sipas tij tregonte sulmuesin në tokë.
Sipas profilit të tij, Allen mori një diplomë bachelor në vitin 2017 në inxhinieri mekanike nga Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë në Pasadena dhe një diplomë master në shkenca kompjuterike nga Universiteti Shtetëror i Kalifornisë-Dominguez Hills.
Po ashtu, u bë e ditur se i dyshuari ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Ai dha dëshminë për policinë, ku pranoi se synim kishte zyrtarët e presidentit të Amerikës.
Pas publikimit të fotografisë së të dyshuarit, udhëheqësi amerikan zhvilloi një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, bashkë me shefin e FBI-së, Kash Patel, dhe Prokurorin e Përkohshëm të ShBA-së, Todd Blanche.
Trump tha se beson se i dyshuari veproi vetëm, duke deklaruar se “ishte punë e një ujku të vetmuar”.
Rreth orës 23:10: Fillojnë të dalin pamje të drejtpërdrejta që tregojnë një kërkim nga policia në një pronë në Torrance, Kaliforni.
Ndërsa prokurorja e ShBA-së për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, thotë se autoritetet planifikojnë të akuzojnë formalisht të dyshuarin në gjykatën federale të hënën.