Pranverë në mes të Dimrit
Vetëvendosje mbylli fushatën me besimin se Kryeqytetit do t’i vijë pranvera më 1 dhjetor. Albin Kurti “pensionoi” Isa Mustafën, ndërsa Shpend Ahmeti “ia shiti” veturën zyrtare.

Lajme
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës në Prishtinë, në të cilin lideri i saj Albin Kurti dhe Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë thënë se Prishtinës “po i vjen pranvera në mes të dimrit”.
Shpend Ahmeti do të bëjë ndryshime klimatike në politikën kosovare e posaçërisht në Prishtinë.
Kështu, sipas Albin Kurtit, zgjedhja e Kandidatit të VV’së për Kryetar të Prishtinës do të bëjë që në Prishtinë të arrijë stina e Pranverës ende pa ardhur Dimri.
Në fushatën përmbyllëse të VV’së në Prishtinë, Kurti tha se “me Shpendin Kryetar të Prishtinës, do të ndërrojë politika e partisë e cila po i ndëshkon qytetarët për vota”.
“Me Shpendin Kryetar të Prishtinës do të ketë ushqim e libra për nxënësit, respekt e kushte pune për arsimtarët, pensione të dinjitetshme për pensionistët, nderim dhe përkrahje për veteranët e UÇK’së, punësim për të rinjtë, subvencione për bujqit dhe një pension gjithnjë të dinjitetshëm për Isa Mustafën”.
Asfaltimi i dobët i rrugëve, sipas Kurtit, do të shkrihet së bashku me kryetarin aktual të Prishtinës, Isa Mustafa.
“Ky asfalt është i pa qëndrueshëm sepse do të zhduket së bashku me borën në pranverë. Kurse Kryetari në ikje është edhe më i pa qëndrueshëm sepse ai do të largohet pas 1 dhjetorit kur në mes të dimrit, nis pranvera politike në Prishtinë”.
“Me Shpend Ahmetin Kryetar të Prishtinës, do të ndihmojmë komunën duke e zhvilluar atë dhe duke e luftuar korrupsionin”.
Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net
Shpend Ahmeti, ndërkaq, ka shpalosur në pika të shkurtra programin për qeverisjen në Kryeqytet.
Ahmeti ka kërkuar nga banorët e Prishtinës që të ruajnë programin e tij që po e premton dhe të kërkojnë llogari nga ai në rast të mos përmbushjes së zotimeve.
“Në fletushkën e zotimeve që ju kemi dërguar, ne kemi paraqitur zotimet tona për një mandat 4 vjeçar. Ju them që ta ruani dhe të na kërkoni llogari gjatë këtij mandati”.
“Ne do siç kemi premtuar, do t’ju sigurojmë ujë… Me qenë se në Prishtinë në vitet e kaluara është rritur numri i fëmijëve, ndërsa vendet në çerdhe është zvogëluar, ne premtojmë rritje të objekteve të këtyre institucioneve parashkollore… Premtojmë ndërtim të tregut të prodhimeve vendore”.
Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net
Ahmeti, ka bërë edhe një premtim interesant, duke thënë para të pranishmëve se në rast se merr mandatin e kryetarit të Komunës së Prishtinë, mjet të vetëm të transportit do te ketë transportin publik pasi që premtoi do ta shesë veturën zyrtare të Kryetarit të Komunës qysh në ditët e para të qeverisjes së tij.