Pranimi në KON, si pranim në OKB

Qindra sportistë dhe drejtues të federatave sportive e shoqatave sportive kanë marrë pjesë sonte në një pritje të organizuar nga Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, për nder të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.  

Lajme

28/10/2014 21:30

Thaçi tha se anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është një njohje e Kosovës nga e gjithë bota.

“Kosova është njohur nga 110 shtete më të fuqishme ndërkombëtare, por anëtarësimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është një lloj i anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sepse sporti kosovar është njohur dhe pranuar nga e gjithë bota”, tha ai.

“Kjo njohje është e rëndësishme sa njohja nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai, teksa ka përgëzuar çdo sportist, drejtues federatash e punëtorë tjerë sportivë për angazhimin në arritjen e këtij qëllimi.

Ai tha se sportistët do të kenë mbështetjen e plotë të tij si kryeministër në rrugëtimin për në Lojërat Olimpike Verore ‘Rio 2016’.

“Para dy vitesh, në vitin 2012, ishim së bashku me presidenten Jahjaga në Olimpiadën Londra 2012, ku ishte prezente edhe simboli olimpik kosovar dhe shqiptar, Majlinda Kelmendi.

“I kam premtuar Majlindës dhe ju premtoj edhe sonte juve të gjithëve, që do ta kemi nderin së bashku të jemi përsëri sikur në Londër 2012, edhe në Rio 2016”, deklaroi kryeministri.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha se njohja e KOK-ut nga KON-i është një përpjekje e kamotshme e shumë njerëzve. Ai ka rrëfyer momente nga lobimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Në shkurt të vitit 2012, Thomas Bach ishte nënkryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Si personalitet që pritej të vinte në krye të Lëvizjes Olimpike, kishte kohë që kërkonim të takoheshim me të dhe këtë e realizuam. U takuam në zyrën e tij private, pranë shtëpisë së tij në qytezën e vogël të lindjes së tij, në Tauberbischofsheim. Ka kaluar vetëm një vit prej se z. Bach është Kryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe nën lidershipin e tij Kosovës dhe sportistëve tanë iu hapën dyert e mëdha të kësaj organizate më të madhe sportive në botë”, tha ai. 

Ai tha se kjo e arritur që ishte gjithmonë e drejtë e jona nuk ka kuptim pa suksesin e Majlinda Kelmendit, trajnerit të saj Driton Kukës dhe të gjithë sportistëve të tjerë që kanë shënuar suksese kulmore në gara ndërkombëtare. Ministri Krasniqi tha se njohja nga KON-i do të ndihmojë shumë edhe federatat e tjera sportive të Kosovës në angazhimet e tyre për pranim ndërkombëtar. “Qysh nga java e ardhshme do të kemi takime të nivelit më të lartë për të avancuar procesin e ndërkombëtarizimit edhe në këto sporte”, tha ai, duke shtuar se mbështetja e MKRS-së për sportistët do të rritet.

 Ndërkaq, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani tha se pranimi në KON është një lajm i jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës. Ai tha se ishte një përpjekje e gjatë dhe e vështirë për dy dekada.

Hasani tha se tash gjithë komunitetin sportiv e pret një epokë e re, e përkushtimit për zhvillimin e brendshëm të sportit dhe arritjen e sukseseve në arenën ndërkombëtare.