Pranimi në Këshill të Evropës: trop de zèle!

Beteja jonë në KiE do të lërë shumë për të dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për kohë të pacaktuar për qenien tonë si shtet sovran dhe i pavarur. Nëse ky normalizim i raporteve me Serbinë do të nënkuptojë përafrim të Kosovës me Serbinë përmes lidhjeve formale, kjo do të varet kryekëput nga fizionomia kushtetuese…

Opinion

03/04/2024 15:18

Beteja jonë në KiE do të lërë shumë për të dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për kohë të pacaktuar për qenien tonë si shtet sovran dhe i pavarur. Nëse ky normalizim i raporteve me Serbinë do të nënkuptojë përafrim të Kosovës me Serbinë përmes lidhjeve formale, kjo do të varet kryekëput nga fizionomia kushtetuese e Bashkësisë së komunave serbe.

Shkruan: Enver Hasani

Pranimi si Kosovë, por jo me emrin kushtetues

Ditë më parë dikush nga pushtetarët e Kosovës tha se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës (KiE) po bëhet si shtet, jo si vend. E vërteta, në fakt, është më ndryshe: pranimi po bëhet pikërisht si vend, jo me emrin kushtetues të Shtetit të Kosovës, por thjesht si Kosovë, dhe atë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB). Ajo që karakterizon raportin e Bakojanis-it për Kosovën (“Raporti”) – të cilin në Paris më datën 27 mars 2024 e miratoi Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare (AP) – konsiston në trajtimin e Kosovës si një rast të paprecedent, për shkaqe të sigurisë. Pikërisht për këtë arsye, Raporti thotë se Kosova mund të pranohet në KiE ekskluzivisht me emrin e saj, sipas Rezolutës 1244, pra jo me emrin e saj kushtetues, përkatësisht jo si një shtet sovran dhe i pavarur. Nga një rast sui generis, i cili nuk mund të shërbente si precedent për situata të tjera të secesionit – si formë e realizimit të së drejtës për vetëvendosje, me kuptim krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur –  Kosova tani kthehet në të kundërtën e saj, si një rast i paprecedent për qëllimet e pranimit në KiE. Kjo do të thotë se aderimi në KiE bëhet për qëllime të caktuara dhe specifike, të cilat janë dhënë në Raport, qëllime që në rend të parë kanë të bëjnë me “mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Për të arritur këta objektiva, Raporti ka rekomanduar aktivizimin e menjëhershëm të mekanizmit të monitorimit sipas Rezolutës 1115 (1997) të AP-së. Deri më sot çdo votim për anëtarësim në KiE është bërë me votim në nivel të zëvendësministrave, me përjashtim të rastit të Armenisë dhe Azerbajxhanit, kur Komiteti i Ministrave ka vendosur në nivel të ministrave. Në të gjitha rastet, pa asnjë përjashtim, pranimet janë bërë me votë unanime. Në rastin e Kosovës, më shumë gjasë, kjo do të bëhet me votën prej dy të tretave të 46 anëtarëve të KiE-së. Pas agresionit barbar rus kundër Ukrainës, i cili ka hapur dyert për pranim të Kosovës në KiE – sepse Rusia ka përjashtuar veten nga ndikimi në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare – me pak mend e mund, Kosova ka mundur të nisë rrugën e anëtarësimit si një shtet serioz dhe i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare, jo duke bërë turr ndaj shtetasve të vet civilë në veri, krejt për fitim dhe ruajtje të një grushti votash. Me një politikë më të matur dhe më të pjekur, Kosova do ta kishte izoluar Serbinë në rrugëtimin e saj për aderim në KiE, jo anasjelltas.

Kuptimi shtet për qëllimet e caktuara dhe specifike

Në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet dallim i qartë në mes të subjektivitetit ndërkombëtar dhe qenies shtet apo shtetësisë (ang.: Statehood). Kjo e fundit përfaqëson trajtën më standarde, klasike do të thosha, të subjektivitetit ndërkombëtar. Vetë subjektiviteti, ndërkaq, përfshin trajta të tjera përveç qenies shtet. Nuk e kemi fjalën këtu vetëm për organizatat ndërkombëtare, kryengritësit dhe aktorët e tjerë joshtetërorë, por për situatat kur rendi ndërkombëtar ka krijuar statuse dhe pozita që kanë gëzuar subjektivitet juridik ndërkombëtar dhe janë konsideruar shtete për qëllime të caktuara dhe situata specifike. Me fjalë të tjera, kanë qenë subjekte të së drejtës ndërkombëtare, sepse rendi juridik ndërkombëtar ua ka njohur atyre një sasi të të drejtave dhe detyrimeve në raport me subjektet e tjera. Meqë ekzistojnë disa subjekte të së drejtës ndërkombëtare, posedimi i subjektivitetit ndërkombëtar nuk është i mjaftueshëm në vetvete për të qenë shtet në të drejtën ndërkombëtare. Në rastin e njohur si Reparacionet (1949), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka shprehur mendimin që sot mbizotëron, sipas të cilit ekziston subjektiviteti juridik objektiv, që njihet nga e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, dhe subjektiviteti ndërkombëtar i pranuar vetëm nga një grup i shteteve. Një kuptim i tretë i termit shtet në të drejtën ndërkombëtare është ai i ndërtuar për qëllime specifike, ku hyn edhe rasti i Kosovës në raport me KiE-në. Në këto raste, me traktat ose statut përdoret një term specifik teknik për entitetin e dhënë dhe ai term teknik merret si pikë referimi. Për të ilustruar këtë ekzistojnë praktika ndërkombëtare me bollëk. Shteti australian i Velsit të ri jugor, i cili nuk është shtet në kuptim të së drejtës ndërkombëtare, në një vendim gjyqësor në SHBA në vitin 1932 është trajtuar si i tillë për qëllimet e ligjit mbi taksimin e dyfishtë. Njëjtë ka ndodhur më 1934 në një rast tjetër lidhur me ligjin për taksat e shtetit amerikan Oregon etj. Dhe, anasjelltas, ka pasur raste kur vendet e huaja, për qëllime të zbatimit të ligjeve familjare, nga gjykatat amerikane janë konsideruar si shtete anëtare të SHBA-së. Ekzistojnë edhe qëllime të tjera për të cilat entitetet e caktuara janë konsideruar si shtete në kuptim të së drejtës ndërkombëtare. Ato kanë pasur të bëjnë me shtetësinë, por edhe me qëllime të tjera. Mandatet “A” në kuadër të OKB-së janë konsideruar shtete ekskluzivisht për qëllimet e shtetësisë. Andora para vitit 1993, kur nuk është konsideruar si shtet në të drejtën ndërkombëtare, Selia e Shenjtë para Marrëveshjeve të Lateranit (1870-1929), India Britanike para krijimit të Indisë dhe Pakistanit të sotëm (1919-1947), janë konsideruar shtete për qëllimet e shtetësisë dhe marrëdhënieve specifike ndërkombëtare. Bjellorusia dhe Ukraina, gjatë Luftës së Ftohtë janë konsideruar shtete për qëllimet e anëtarësimit të tyre në OKB. Më herët Qyteti i Lirë i Dansingut është konsideruar shtet për qëllimet e të qenit palë në Statutin e Gjykatës Permanente Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pasojat praktike të këtij pranimi

Nëse Kosova nuk është pranuar si shtet sovran dhe i pavarur, por si një vend në kuptim të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, pra jo me emrin e saj kushtetues, atëherë shtrohet pyetja nëse kjo ka ndonjë pasojë praktike, apo bëhet fjalë për një qasje që nuk përçon asnjë mesazh për qenien shtet të Kosovës dhe paraqet një qëllim më vete. Për t’u përgjigjur në këtë dilemë duhet të nisemi nga fakti se shteti gëzon kompetencën plenare në të drejtën ndërkombëtare, përveç rasteve kur nga teksti dhe konteksti rrjedh diçka tjetër. Nga kjo premisë rrjedhin pesë rregulla të njohura në të drejtën ndërkombëtare, që përcaktojnë pozitën e shtetit në rendin ndërkombëtar. Sipas rregullit të parë, konsiderohet se shteti posedon kapacitetin për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndërmarrjen e çfarëdo akti në planin ndërkombëtar. Sipas të dytit, shteti është i pavarur nga çdo shtet tjetër dhe ka kompetencë ekskluzive në marrëdhëniet e brendshme, me përjashtim të kufizimeve të vëna nga e drejta ndërkombëtare. Sipas të tretit, në parim, shteti nuk mund t’i nënshtrohet juridiksionit të një gjyqi apo mekanizmi ndërkombëtar kundër vullnetit të tij. Sipas të katërtit, në aspektin formal krejt shtetet janë të barabarta. Sipas të fundit, asnjë shmangie nga këto rregulla nuk mund të prezumohet: në rast të dyshimit, vlen rregulli që duhet të vendoset në favor të lirisë së veprimit të shtetit.

Nuk ka asnjë dyshim se, për qëllimet e anëtarësimit në KiE, Raporti, por edhe elaborimi jashtëzakonisht profesional i rekomandimeve të juristëve eminentë (Rekomandimet), të cilët shërbejnë si bazë për vendimmarrjen në AP  dhe në Komitet të Ministrave, e konsiderojnë Kosovën si një vend, jo si një shtet sovran dhe të pavarur. Shprehja “çdo shtet evropian”,  nga neni 4 i Statuti të KiE-së (Statuti) është interpretuar ngushtësisht, duke përdorur termin teknik për Kosovën bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së, jo emrin e saj kushtetues. Ky interpretim diktohet, siç del nga Raporti, por edhe nga Rekomandimet, për arsye sigurie dhe me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe shndërrimit të Kosovës në një agjenci stabiliteti rajonal. Në rastet e pranimit të vendeve të tjera, pa asnjë përjashtim, janë marrë parasysh qëllimet nga neni 1 i Statutit, që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët dhe arritjen e progresit ekonomik dhe shoqëror. Në rastin e Kosovës, gjithnjë gjykuar sipas Raportit dhe Rekomandimeve, këto qëllime arrihen përmes shikimit të Kosovës si faktor çelës në sigurimin e stabilitetit. Ky dimension i sigurisë që përshkon krejt esencën e këtyre dy dokumenteve, si dhe vetë votimin për pranimi të Kosovës në KiE, ka lindur me fokus vlerësimin e ngjarjeve dhe veprimeve të autoriteteve të pushtetit qendror të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. Inkursionet e vazhdueshme në veri nga ana e pushtetit qendror, përmes forcave speciale, jo me polici të rregullt, kanë bërë që civilët serbë të Kosovës të ndihen të rrezikuar dhe të poshtëruar, duke çuar në maje pikën e vlimit të sigurisë së vendit. Raporti thotë qartë se ekziston rrezik real nga një konflikt i dhunshëm. Për këtë rrezik nuk fajësohen strukturat serbe të sigurisë dhe as shteti serb, por veprimet e papërgjegjshme të pushtetit qendror të Kosovës kundër popullsisë civile serbe. Këto veprime kanë shërbyer si dëshmi për raportuesen Bakojanis, se në Kosovë ekziston një hendek në mes të standardeve normative dhe implementimit të tyre efektiv, që shtron nevojën e përmirësimit të mbrojtjes së komuniteteve joshumicë, krijimin e klimës që çon në besim, pajtim dhe përfshirje. Sikundër shihet, pra, fjala çelës në Raport është siguria, krijimi i sigurisë në Kosovë për krejt qytetarët dhe vendin si tërësi. Ky dimension i sigurisë ka shërbyer si tharm për ndërtimin e shansit për Kosovën, siç e thotë Raporti, “për të vazhduar progresin në forcimin e të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe adresimin e sfidave dhe problemeve që janë shqetësim i Këshillit”.

Kosova do të monitorohet në mënyrë të rreptë, pikërisht për të parë nëse po zbaton zotimet e marra, të cilat duhet të çojnë në progres substancial të vendit në sferën e të drejtave të komuniteteve pakicë në rend të parë, por edhe të drejtave të njeriut në përgjithësi, në sundimin e ligjit dhe adresimin e problemeve të mbetura, në rend të parë formimi i Bashkësisë së komunave serbe, përkatësisht i autonomisë politiko-territoriale të serbëve lokal. Sipas rregullave të brendshme të KiE-së, monitorimi duhet të ndodhë – dhe në praktikë ka ndodhur çdoherë – gjashtë muaj pas pranimit të një shteti në KiE. Në rastin e Kosovës, ndërkaq, kjo duhet të ndodhë menjëherë dhe njëkohësisht me pranimin e saj në KiE. Në pyetje është, pra, testimi i shtetësisë së Kosovës: nuk është pranuar vendi në KiE si shtet, por si vend që duhet të bëhet shtet duke u riformatizuar përgjatë standardeve të KiE-së, e kjo do të thotë duke i plotësuar hendeqet në mes të standardeve normative dhe implementimit të tyre efektiv. Nuk mjafton trumbetimi i pandërprerë se Kosova ka standardet më të larta për të drejtat e njeriut: implementimi i standardeve duhet të jetë efektiv. Si dhe kur konsiderohet se ka ardhur deri te implementimi i tyre efektiv, nuk matet e përcaktohet nga institucionet e Kosovës, por nga ato të KiE-së, në rend të parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dëshmimi se jemi shtet është një proces i pafund, që fillon ditën e aderimit tonë në KiE. Shpresojmë të jetë në maj të këtij viti, siç është planifikuar. Sidoqoftë, Kosova do të mbahet mend si vendi i vetëm që ka aderuar në KiE për arsye të sigurisë dhe me qëllim të testimit të qenies shtet të vetvetes, si pasojë e shndërrimi të vendit në një çështje sigurie këtyre dy vjetëve të fundit.

Kosova do të jetë në agjendën evropiane të sigurisë si një çështje problematike. Zgjidhja e problemeve të sigurisë, siç tregon historia e marrëdhënieve ndërkombëtare, ka pak konsiderata për sovranitetin e shteteve: zgjidhja e tyre shtyp dhe dërgon në plan të dytë konsideratat e nuancuara mbi sovranitetin shtetëror. Ajo zgjidhje, jo rrallë, kërkon sakrifikim të sovranitetit, duke e transformuar atë në trajta dhe forma të ndryshme. Duhet parë çfarë transformimi në sovranitetin e Kosovës do të shkaktojë  normalizimi i raporteve me Serbinë, që është një kusht sine qua non për anëtarësimin tonë në KiE. Beteja jonë në KiE do të jetë për të dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për kohë të pacaktuar qenien tonë si shtet sovran dhe i pavarur. Nëse ky normalizim i raporteve me Serbinë do të nënkuptojë përafrim të Kosovës me Serbinë përmes lidhjeve formale, kjo do të varet kryekëput nga fizionomia kushtetuese e Bashkësisë së komunave serbe. Nëse kjo strukturë autonome serbe do të shërbejë si mjet për arritjen e qëllimit tjetër – defunksionalizmin dhe dështimin e projektit të shtetësisë së Kosovës, atëherë do të dështojnë edhe përpjekjet për të provuar qenien e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)