Pozita nuk i frikësohet mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë, i quajnë të paguximshëm

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të takohet me kryetarët e dy partive tjera opozitare, Albin Kurtin nga LVV dhe Shpend Ahmetin nga PSD, për tu dakorduar lidhur me veprimet për mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Lajme

20/05/2019 19:03

“Gjatë kësaj jave do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale dhe përmbysjen e Koalicionit PAN. Po ashtu, gjatë javës, do të ftoj edhe Kryetarin e PSD-së, z. Ahmeti të diskutojmë dhe të merremi vesh për veprime të përbashkëta”, ka thënë Mustafa.

E këtë nismë të Mustafës e ka mirëpritur edhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se përkrah këshillimet e partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë.

“Mirëpres paralajmërimet dhe iniciativat për konsultime opozitare për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. PSD ka qenë dhe është e gatshme të koordinojë veprimet në interes të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Mirëpo, tentativat e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, nuk po e frikësojnë aspak koalicionin qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentarë të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë për lajmi.net se LDK-ja dhe LVV-ja që pothuajse një vit flasin për mocion për rrëzimin e Qeverisë, por që siç thotë ai, nuk kanë guximin as ta fillojnë këtë proces.

“Që gati një vit LDK-ja dhe LVV-ja flasin për mocion për rrëzimin e Qeverisë dhe s’kanë guximin as ta fillojnë këtë proces. Deklarimet e Isa Mustafës janë në vazhdën e këtyre deklarimeve boshe, prej të cilave asnjë rrezik nuk i vie qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës”, ka thënë Krasniqi.

Se këtij mocioni nuk i frikësohet koalicioni qeverisës e thotë edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, ajo madje thotë se deklarata të tilla kemi degjuar që nga themelimi i Qeverisë.

Kadrijaj po ashtu ka thënë se LDK-ja më së paku është në pozitën favorizuese për të shkuar në zgjedhje, pasi siç thotë ajo pakënaqësitë brenda kësaj partie janë të mëdha, duke ju referua një përleshje fizike që kishte ndodhur mbrëmë një degën e LDK-së në Mitrovicë.

“Ju e dini që këto tentativa e këto prononcime kanë vazhduar që nga themelimi i Qeverisë dhe cdo ditë në çdo prononcim kanë qenë këto tema. Edhe këto angazhime që do të fillojmë do të fillojmë i kemi dëgjuar çdo ditë, deri sot nuk kanë pasur një mocion të tillë. Është e drejt e tyre. Por nuk i frikohemi, as nuk frikësohemi se do të bjerë qeveria, por nuk i fiksohemi as zgjedhjeve. Unë mendoj që më së pakti LDK-ja është në pozitë favorizuese për të shkuar në zgjedhje duke parë zhvillimet që i kanë brenda për brenda LDK-së, ku kemi parë veç mbrëmë që në një proces zgjedhore ku kanë përfunduar duke u rrahur për shkak të pakënaqësive që i kanë brenda LDK-së”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo po ashtu ka thënë se Aleanca nuk frikësohet nga zgjedhjet, pasi sipas saj, besueshmëria për kryeministrin Haradinaj dhe partin e tij tashme është në rritje.

“Është e drejt e tyre, ne si Aleancë nuk i frikësohemi dhe nuk i frikësohemi as zgjedhjeve sepse vet puna dhe angazhimi kryeministri Haradinaj gjatë këtij mandati kanë bërë që besueshmëria në opinion për Aleancën edhe Haradinajn është në rritje”, ka thënë Kadrijaj. /Lajmi.net/