Pozita kërkon që Prokuroria të hetojë Sali Berishën

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste e Shqipërisë kanë reaguar sot për çështjen ‘Tom Doshi’. Të dyja palët kanë akuzuar ish-kryeministrin e Shqipërisë Berisha si thurës të këtij skenari, dhe kanë kërkuar që prokuroria të nis hetimet ndaj tij.

Lajme

11/03/2015 16:29

Madje sipas LSI-së, emri i ish-oficerit Petrit Çinari, të cilin deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi e përmendi dje si dëshmitar, ka një kartelë mjekësore si i sëmurë mendor, kartelë që është publikuar sot nga Luan Rama, sekretar i përgjithshëm i kësaj partie.

“Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që duhet ta dinë qytetarët e këtij vendi, lidhet me faktin se rezulton që vrasësi, i ashtuquajtur vrasës nga ana e Tom Doshit, i cili u bë i njohur dje Petrit Çinari, rezulton të jetë një i sëmurë mendor i trajtuar si i tillë nga institucionet e specializuara të vendit. Kësisoj, e gjithë kjo farsë njerëzish në gjendje haluçionative dhe karakteropatike, është shndërruar përfundimisht në një parodi qesharake e cila duhet të marrë fund sa më shpejt dhe menjëherë. Në këto kushte, është detyrë parësore e organit të akuzës, pra e Prokurorisë, të hetojë me konsistencë, me paanësi, bazuar vetëm në ligj dhe jashtë ndikimeve dhe presioneve që përpiqet të ushtrojnë mbi organin e akuzës,” tha Luan Rama.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili foli lidhur me protestat e PD-së, të paralajmëruar për nesër, ndërsa tha se çdo parti është e lirë të bëjë protesta në Shqipëri, por se Ilir Meta nuk do të japë kurrsesi dorëheqje për llogari të krimit të organizuar.

“Çdo parti është e lirë të bëjë protesta në Shqipëri. Edhe PD është e lirë të bëjë protesta, edhe 24 orë në ditë po të dojë, për llogari të krimit të organizuar, madje edhe të mbajë flamurin e tij. PD është e lirë të përdorë edhe të sëmurë psikik, si ky i fundit që u prodhua së fundmi në panik, kartelën e të cilit ju tashmë e njihni të gjithë, si dhe të përdorë të sëmurë psikik për të mbështetur dhe për të frymëzuar krimin e organizuar. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nuk do të japë kurrsesi dorëheqje për llogari të krimit të organizuar. Ju konfirmoj edhe njëherë qartë dhe prerë se lufta e mazhorancës kundër krimit të organizuar do të jetë shumë e rreptë dhe pa asnjë kompromis. Gjithashtu, i bëj me dije opinionit publik se fakte të reja tronditëse do të bëhen publike gjatë 24 orëve në vazhdim,” tha Vasili.

Lidhur me çështjen Doshi ka folur sot edhe Taulant Balla në cilësinë e nënkryetarit të Grupit Parlamentar  të PS-së.

taulant-balla

Balla akuzoi ish-kryeministrin Berisha duke e quajtur “të sëmur mendor”dhe si personi që ka thurur skenarin për vrasjen e dy deputetëve.

“Thirrjet e Sali Berishës dhe të oficerëve të Shqup-it nxisin dhunën ndaj institucioneve, duke përdorur si shkak një manipulim skandaloz për gjoja vrasjen e dy deputetëve dhe madje, duke përfshirë në këtë teatër edhe një të sëmurë mendor. Pse nuk e pret Sali Berisha fundin e hetimit të prokurorisë? Unë i bëj thirrje prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet për Sali Berishën dhe të gjithë nxitësit e tjerë politikë të dhunës. Sepse, Sali Berisha përsëri nuk po kërkon zbatimin e ligjit, por imponimin me forcë të një skenari kriminal që dëmton seriozisht Shqipërinë. Ndërkohë, unë do të ndërmarr prej sot nismën për të verifikuar në rrugë mjekësore gjendjen psiqike të Saliut dhe për të kërkuar mbylljen e tij në çmendinë në rast se komisioni mjeko – ligjor vërteton dyshimin e thellë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve sepse Sali Berisha është klinikisht i papërgjegjshëm për ato që thotë dhe për ato që bën,” tha deputeti Balla.