Posta e Kosovës, 45% më pak dërgesa postare në vitin 2017

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar 4,5 milionë dërgesa postare, apo rreth 40% më pak se në vitin 2016. Nga kjo rënie e dërgesave më së shumti ka pësuar Posta e Kosovës, e cila kishte rënie të dërgesave në vitin 2017 për rreth 45% më pak se në vitin paraprak, ndërsa operatorët postar privat kishin një dyfishim të dërgesave. Kjo rënie drastike e punës së kësaj ndërmarrjeje publike është pasqyruar në raportin e Autoritetit Regullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Lajme

15/08/2018 15:21

Rënia e dërgesave në Postën e Kosovës nuk ishte në proporcion me rënien e të hyrave, pasi sipas ARKEP, rënia e të hyrave të Postës nga ky shërbim ishin vetëm 6%.

Në pasqyrën e përgjithshme të tregut të shërbimeve postare për vitin 2017 tregohet se qytetarët e Kosovës kanë pakësuar blerjen e shërbimeve postare që përfshin dërgesa postare në letra dhe pako.

ARKEP në raportin vjetor ka konstatuar se në 12 muaj kishte një rënie prej 39 për qind të dërgesave postare në përgjithësi.

“Në bazë të dhënave të përpunuar nga Autoriteti, për periudhën; Janar – Dhjetor 2017, në total kemi rreth: 4,557,083 dërgesa postare, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, rezulton se kemi një rënie të theksuar të numrit të përgjithshëm të dërgesave postare në vlerën; 39.66 %”, thuhet në raport.

Megjithatë një statistikë intersante në këtë raport tregon se në fakt nga kjo rënie ka pësuar më së shumti ndërmarrja publike ‘Posta e Kosovës’ e cila pati 45.45 për qind më pak shitje të shërbimeve postare krahasuar me vitin 2016.

Në anën tjetër sipas ARKEP-it, operatorët e tjerë privatë që ofrojnë shërbime postare kanë shënuar rritje të shitjes së këtyre shërbimeve në mbi 100 për qind.

“Përderisa NPQ ‘Posta Kosovës SHA’, ka një rënie mjaft të theksuar të volumit të dërgesave postare dhe atë në vlerën; 45.45 %, ndërsa operatorët privat kanë një rritje të mjaftë të lartë në vlerën; 103.95 %”, thuhet në raport.

Operatorët Privat kanë filluar t’ia zvogëlojnë tregun Postës së Kosovës.

“NPQ ‘Posta Kosovës SHA’, me 86.90 %, mbulon tregun e përgjithshëm të shërbimeve postare kurse operatorët privat janë të përfaqësuar në vlerën; 13.10% të tregut të përgjithshëm”, thuhet në raport.

Dëmtimi financiar i postës karshi rritjes së të hyrave nga privatët

Mbi 6 milionë euro ka qenë të hyrat e grumbulluara nga shitja e shërbimeve postare në tërë tregun e Kosovës.

ARKEP ka treguar se kjo shifër pasqyron rritje të lehtë në krahasim me vitin 2016, por kjo rritje ka shkuar vetëm tek operatorët privat sepse Posta e Kosovës kishte rënie të të hyrave.

“Përkundër rënies së numrit të përgjithshëm të dërgesave postare në vitin 2017, sektori i shërbimeve postare në total ka pasur të hyra në vlerën: 6.235,854.41 Euro, që krahasuar me vitin 2016, evidentohet një rritje e të hyrave të përgjithshme në vlerën; 6.49 %, përderisa NPQ ‘Posta e Kosovës SHA’, ka një rënie të lehtë në vlerën; 6.23 %, ndërsa operatorët privat kanë pasur një rritje të theksuar të hyrave në vlerën; 32.47 %”, thuhet në raport.

Sipas ARKEP nga numri i përgjithshëm i dërgesave postare, rreth; 83.16 %, janë letër dërgesa postare, kurse rreth; 7.05 % e dërgesave janë ‘Postë Direkte’ (Reklama), ndërsa rreth; 9.79 %, janë dërgesa të koli postës ose pako postare.

Nga numri i përgjithshëm i dërgesave rreth; 82.15 %, e dërgesave postare janë dërgesa të pranuara dhe shpërndara në trafikun e brendshëm pra postë vendore, ndërsa rreth 17.85 %, janë postë ndërkombëtare.

Posta e Kosovës kishte telashe financiare gjatë gjithë vitit për shkak të pamundësisë së Telekomit për t’ia paguar qiranë Postës brenda afateve të përcaktuara. Përveç kësaj, Posta e Kosovës është në proces gjyqësor me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës që kishte marrë vendim për ndalimin e punës së filialeve të postës brenda disa prej objekteve të institucioneve publike.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë padinë e Postës së Kosovës kundër vendimit të Autoritetit të Konkurrencës që urdhëron largimin e filialeve të postës nga objektet e institucioneve publike.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës më datën 6 dhjetor 2016 kishte marrë vendim që marrëveshjet e institucioneve publike me Postën e Kosovës për të vendosur filialet brenda objekteve publike ishin në kundërshtim me ligjin e konkurrencës.

Posta e Kosovës ka paralajmëruar se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Kosovës./Kallxo.com