Posselt: Po përpiqemi t’i heqim vizat për Kosovën

Bernd Posselt, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, ka deklaruar se ai dhe disa eurodeputetë tjerë, po punojnë dhe do të përpiqen për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën këtë vit.

Lajme

08/04/2014 08:23

Posselt, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian dhe i Delegacionit për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, tha në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën se kjo, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, mbase është e mundshme këtë vit, ndonëse ka një bllokadë nga disa vende të BE-së.

“Fillimisht më duhet të them se Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Kosovën, i publikuar në vjeshtë, ka qenë mjaft pozitiv. Pastaj, siç e dini, në fillim të këtij viti Parlamenti Evropian ka përmbledhur një raport në përgjigje të Komisionit Evropian, i cili ka qenë shumë, shumë pozitiv. Prandaj, më duhet të them se organet e Bashkimit Evropian i vlerësojnë shumë pozitivisht zhvillimet në Kosovë”.

Posellt ka thënë se janë katër pika shumë të rëndësishme për Kosovën.

“Së pari, të pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin atë sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë. Shpresoj se tani, kur janë kryer zgjedhjet për president të shtetit në Sllovaki, nga Presidenti i ri do të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe shpresoj pastaj kjo do të ndiqet edhe nga shtetet tjera”.

“Çështja e dytë që është shumë e rëndësishme, për të cilën unë angazhohem personalisht. është që Kosova sa më shpejt që të jetë e mundur, të përmbyllë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Marrëveshjen për Tregtinë me BE-në dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, të hiqet regjimi i vizave i Bashkimit Evropian për Kosovën. Duhet të përpiqemi që mundësisht, këtë ta realizojmë brenda këtij viti”.

“Pika e tretë, të cilën unë e konsideroj shumë të rëndësishme, është që ne dëshirojmë që Kosova, së shpejti, të jetë përfituese e të gjitha projekteve të Bashkimit Evropian, projekteve mbështetëse për rininë, arsimin, projekte për këmbime akademike e shkencore, këmbimeve kulturore etj., dhe të gjitha atyre programe tjera mbështetëse financiare sipas Procesit të Selanikut, që shtete tjera tashmë janë duke i marrë”.

“Dhe pika e katërt, që është gjithashtu shumë e rëndësishme: Siç e dini nuk është vetëm Bashkimi Evropian, ka edhe një bashkësi shtetesh që është më e madhe se BE-ja, e ai është Këshilli i Evropës me 44 shtete anëtare, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria dhe Serbia, prandaj ne duam të punojmë që edhe Kosova, së shpejti, të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sepse kjo mundëson pjesëmarrjen në shumë programeve të rëndësishme dhe është në interes të qytetarëve të Kosovës, siç është rasti me Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, së cilës do të mund t’i drejtohen qytetarët e Kosovës në rast nevoje, por ka edhe shumë e shumë mundësi të tjera”.