Porosia jodiplomatike
Zafir Berisha ka një porosi për Ministrin Enver Hoxhaj: Para se të vijë në Prizren për të bërë fushatë për një të akuzuar, t’i shohë diplomatët e tij të dehur nëpër Europë.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201310/full/zafir-berisha.jpg)
Lajme
Kandidati për Kryetar të Komunës së Prizrenit Zafir Berisha i dërgoi një selam aspak diplomatik Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Sipas portalit Prizrenpress, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Prizrenin dhe kandidat për kryetar i kësaj komune, i ka thënë Ministrit Hoxhaj se “është më mirë të merret me diplomatët e tij në Europë të cilët po dehen, sesa ta përkrah Ramadan Mujën”.
“Nuk i shikon punët e jashtme të Kosovës dhe diplomatët të cilët po dehen nëpër vendet e Evropës, e po ia dëmtojnë imazhin e Kosovës, por po vjen në Prizren dhe e përkrah të pandehurin Ramadan Muja, i cili gjithnjë e më shumë po torturon qytetarin e respektuar të Prizrenit”.
Këto komente Berisha i bëri në një takim me banorët e fshatit Kobajë. Ai kërkoi nga ta që të dalin masovikisht në zgjedhje.
“Pjesëmarrja masive e juaj nëpër takime elektorale është edhe një stimulim shtesë, për ne, që të jemi më të vendosur në rrugëtimin tonë për të mundësuar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Prizrenit, dhe për këtë garancia dhe shpresa e vetme është numri 74 dhe Bashkimi Demokratik”.