Poroshenko: Shumica e trupave ruse kanë ikur nga Ukraina

Presidenti i Ukrainës,  Petro Poroshenko ka deklaruar se Russia ka tërhequr më tepër se dy të tretat e trupave të saj nga Ukraina lindore.

Bota

11/09/2014 15:07

Poroshenko i tha kabinetit të tij se bazuar në informatat e Agjencisë së zbulimit, 70 për qind e trupave ruse që kishin hyrë në Ukrainë për të luftuar krahas me separatistët pro-rusë, ishin kthyer në Rusi.

NATO ka vlerësuar se të paktën 1000 trupa ruse hynë në Ukrainë gjatë luftimeve në rajonin e Donjeckut.

Shumë vëzhgues besojnë se ushtarët rusë ndihmuan në avancimin e rebelëve, të cilët deri disa javë më parë, ishin duke pësuar humbje të mëdha në luftimet me forcat qeveritare.

Rusia ka mohuar të ketë çuar trupa dhe pajisje ushtarake në Ukrainën lindore, edhe pse udhëheqësit separatistë pohuan se po ndihmoheshin nga ushtarët rusë, të cilët e përdorën kohën e tyre të pushimeve për të luftuar me trupat ukrainsave të territorin ukrainas.

Kremlini në anën tjetër ka njoftuar se presidentin rus,  Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij ukrainas, gjatë një bisede telefonike, se ai është i përkushtuar për një zgjidhje paqësore të krizës me Ukrainën.

Njoftimi për bisedën telefonike mes Putinit dhe Poroshenkos, erdhi në kohën kur  Shtetet e Bashkuara po finalizonin disa masa për zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë lidhur me qëndrimin ndaj Ukrainës.

Në dy rajonet ukrainase me popullat të përzier, Donetsk dhe Luhansk, që nga qershori janë vrarë mbi 260 veta, gjatë përpjekjeve të separatistëve prorusë për të vënë nën kontroll këtë territor dhe për të shpallur pavarësinë, ashtu siç bëri gadishulli i Krimesë në muajin mars, e që më pas u aneksua nga Federata Ruse.