Poroshenko, fitues i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë

Miliarderi Petro Poroshenko është fitues i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë që në rrethin e parë, duke fituar 55.9 për qind të votave, sipas rezultateve të anketave nëpër vendvotime.

Bota

25/05/2014 21:03

Ish-kryeministrja Julia Timoshenko është e dyta në renditje, por me gjithsej rreth 12 për qind të votave të ukrainasve që të dielën dolën në zgjedhje presidenciale.

Anketat dalëse (exit poll) i kanë bërë tri qendra të mëdha sociologjike, transmeton agjencia Itar-Tass.

Poroshenko (48-vjeçar), tajkun i njohur si \”mbreti i çokollatës\” dhe pronar i një kanali televiziv të popullarizuar, i fabrikës së automjeteve dhe një kantieri për ndërtimin e anijeve, në këtë fushatë ka pasur mbështetjen e politikanit të njohur, ish-ministrit të Brendshëm Juri Luçenko, sikundër edhe të kampionit në boks, Vitali Kliçko, i cili ka kaluar në politikë.

Në programin e tij të quajtur \”Fund kaosit dhe luftës\”, Poroshenko ka premtuar se do tu japë më shumë autorizime rajoneve, në përpjekje për të qetësuar tensionet në lindje të Ukrainës, si dhe njëkohësisht të ruajë tërësinë territoriale të vendit dhe të rrisë buxhetin për ushtrinë.

Sipas raporteve nga Ukraina, zgjedhjet në lindje të Ukrainës, në rajonet Donjeck dhe Lugansk, nuk u mbajtën sepse u penguan nga forcat pro-ruse.