Porkuroria e Gjakovës: Vrasja e Elvis Pistës drejt zbardhjes

Misterit të vrasjes së kandidatit të PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës Elvis Pista po i vjen fundi.

Lajme

02/07/2014 00:27

Organet e hetuesisë janë afër gjurmëve të personit, i cili në mesnatën mes 14 dhe 15 qershorit, qëlloi katër herë mbrapa shpine Elvis Pistën, duke e lënë pa shenja jete, raporton Rrokum TV.

Lajmin për këtë televizion e ka bërë të ditur kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija, e cila tha se presin që shumë shpejt të kenë rezultat dhe të vijnë deri te identifikimi i vrasësit dhe rasti Pista të zbardhet.

Kryeprokurorja Bakija tha për Rrokum TV se Prokuroria asht duke punuar intensivisht në informacionet e mbledhura dhe se beson që shumë shpejt rasti do të zbardhet.

Kryeprokurorja nuk ka dhënë detaje rreth dyshimeve të mundshme për motivet që kanë çuar në vrasjen e Pistës, duke thënë se s’mund të japë informacione, pasi po punohet dhe nuk mund të dëmtohen hetimet.

Ndryshe, kandidati i për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista u vra mesnatën mes 14 dhe 15 qershorit, rreth orës 00:45 në oborrin e restorantit “JAHA” në Rahovec, duke u qëlluar katër herë mbrapa shpine, në një largësi prej disa metrave. Mbrëmjen tragjike, Elvis Pista po festonte ditëlindjen e gruas së tij. I ndjeri, megjithëse ishte i dyti më i votuari në qytetin e tij të Rahovecit, nuk kishte arritur ta kalojë pragun për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.