Pompeo ia bën të qartë Serbisë se SHBA-të presin normalizim të raporteve me Kosovën

Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo ka thënë  se SHBA pret normalizimin e raporteve të Serbisë dhe Kosovës.

Lajme

15/02/2020 16:52

Ai përmes një letre ku uron Serbinë për Ditën e Pavarësisë, ka përmendur edhe normalizimin e raporteve me Kosovën, shkruan lajmi.net.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë marrëdhëniet me Serbinë dhe kanë në vizion një Serbi demokratike, të zhvilluar ekonomikisht që është në paqe me fqinjët e saj dhe plotësisht të integruar në Europë”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kontekst, Pompeo ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet në një të ardhme të afërt.

“Ne jemi të inkurajuar nga ngjarjet e fundit që janë tregues i hapave drejt lehtësimit të investimeve, turizmit dhe lidhjeve tregtare me Kosovën. Ne jemi optimistë që Serbia dhe Kosova do të bëjnë përparime të mëtejshme në normalizimin e marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”.

“Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë. Vendet tona kanë qëndruar krah për krah në të dy luftërat botërore dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur për një kohë të gjatë integrimin europian të Serbisë”, thuhet tutje në deklaratë. /Lajmi.net/