Politikat qeveritare po e gërryejnë dhe uzurpon tokën e Kosovës

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Tokës, departamenti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Ruaral në AAK, ka mbajtur konferencë për media.

Lajme

22/04/2015 13:42

Kryetari i Aleanncës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kjo ditë është një shënim simbolik ku lë të kuptohet se shtëpia e të gjithë ne është toka.

Ndërsa lidhur me shqetësimet e degradimit të tokës bujqësore, Imer Rusinovci, kryesues në departamentin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Ruaral në AAK, tha se si parti janë pakënaqur me fondin për tokat bujqësore në Kosovë.

Ai vlerësoi se tokës bujqësore po i bëhet një masakër. Ndër të tjera, tha se “gjendja në teren është shqetësuese, kur kemi të bëjmë më uzurpime të tokave të klasave 1, 2, 3, 4 dhe 5 bonitative të cilat edhe legjislatura e tanishme i sanksionon”.

“Toka nuk është pronë e askujt ashtu siç na e kanë trashëguar të parët po ashtu e kemi obligim dhe ne, që të njëjtën tokë, në tërësi teknologjike t’ua ruajmë t’ua shfrytëzojmë t’ua mbrojmë drejt dhe t’ua japim pasardhësve, sepse toka është një resurs natyror i cili u takon brezave në pambarim”, është shprehur Rusinovci. Ai pohoi se legjislacioni nuk është i keq por që kërkojnë si parti që ai të zbatohet nga qeveria në përpikëri.

“Kosova është një prej vendeve më të vogla në rajon që ka më së paku tokë pune për kapita ose për kokë banori dhe këtë gjendje ekzistuese jam shumë i sigurt që nuk ka zyrtarë institucional që e di sepse askush nuk punon në këtë drejtim, shënimet dhe anketimet nga tereni janë shqetësuese që na japin të dhënë që ne posedojmë 0,15 hektarë përkatësisht 15 ari për kokë banori gjë që kjo vërtetë është shqetësuese”, tha Rusinovci.

Ai ka bërë apel që toka bujqësore të ruhet nga të gjithë dhe që qeveria e Kosovës të marrë modele nga vendet e ndryshme të botës, si shembull mori Slloveninë. Ai u shpreh i pakënaqur edhe për privatizimin e pronave bujqësore, ku të cilat sipas tij janë shndërruar në zona urbane.