Politikanët kosovarë mundohen të bien në sy të ndërkombëtarëve, hapin me të madhe llogari në Twitter

Një dimension i ri i komunikimit të politikanëve kosovarë është shndërruar në trend kohëve të fundit.

Lajme

25/02/2020 22:29

Figura politike, që në të kaluarën as nuk kishin të hapura llogari në rrjetin social “Twitter”, tanimë kanë hapur të tilla e madje po janë shumë aktiv në to, shkruan lajmi.net.

Një trend të tillë po e praktikon edhe kryeministri i ri i vendit, Albin Kurti, që në të kaluarën nuk merrej edhe aq me Twitter.

Kurti tani brenda ditës poston edhe dy e më shumë herë, duke e bërë profilin e tij mjaftë aktiv në këtë rrjet social.

Mirëpo, Kurti nuk është i vetmi në qeveri që ka nisur të merret më shumë me Twitter

.

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj janë veç disa nga politikanët që Tëitterin e kanë shndërruar në platform aktive sociale për komunikim me publikun.

E numri i përdoruesve nga Kosova në Twitter është shumë i vogël, çka e minimizon edhe ndikimin e tij tek audience kosovare.

Eksperti i rrjeteve sociale, Valon Kerolli thotë për lajmi.net se trendi i përdorimit të Twitterit nga politikanët në Kosovë, ka për tendencë dërgimin e mesazheve të tyre tek politikanët ndërkombëtar.

Kjo, sipas Kerollit vërtetohet edhe nga fakti i përdorimit të gjuhës angleze nëpër postimet e njerëzve të politikës.

“Twitter është po thuajse rrjeti social me më së paku përdorues nga Kosova (rreth 78 mijë përdorues), prandaj nuk është se ka edhe shumë fuqi dhe ndikim tek njerëzit e thjeshtë në Kosovë. Përdorimi i këtij rrjeti social nga politikanët tanë kryesisht përdoret për të dërguar mesazhet e tyre tek politikanët ndërkombëtar, kjo lehtë mund të vërtetohet edhe nga përdorimi i gjuhës angleze në postimet e tyre”, ka thënë ai.

Kerolli tutje thotë se Twitter-i në botë njohet si rrjet primar social i përdorimit, teksa për këtë kanë ndikuar më së shumti politikanët amerikanë, përfshirë edhe presidentin, Donald Trump.

Sipas Kerollit, ndikimi më i madh që politikanët kosovarë të hapin llogaritë e tyre në Twitter, mund të ketë ardhur nga i dërguari special i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell.

“Edhe në botë Tëitter njihet si rrjeti primar social i përdorimit nga politikanët, ndoshta faktori kryesor që ka ndikuar në këtë është presidenti amerikan Barack Obama, e më pas edhe Donald Trump, ndërsa tek ne duket se deri tek ky trend i hapjes tani të llogarive në Twitter ndikim të madh ka pasur Richard Grenell i cili përdori këtë rrjet social për të reaguar dhe dërguar mesazhe në drejtim të politikanëve kosovarë”, ka thënë në fund Kerolli.

Sidoqoftë,  ka edhe politikanë të tjerë kosovarë të cilët edhe në të kaluarën kanë përdorur aktivisht Twitterin.

Më së shumti aktiv në këtë rrjet gjer më tani njihet se ka qenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli si dhe ish-zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ndërkaq që aktive që një kohë mjaftë të gjatë është edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ndikimi i Twitterit vërtetohet edhe me situatën e fundit të lajmit për njohjen e Kosovës në Xhamajka, që u raportua pikërisht përmes një postimi të presidentit Thaçi në këtë rrjet social.

Edhe demanti që shkaktoi reagime të mëdha në Kosovë, ishte bërë pikërisht përmes këtij rrjeti social nga ministrja e Jashtme e Xhamajkës. /Lajmi.net/